Auto

Volvo bashkon forcat me ECARX-in


Volvo Cars surprizon. Prodhuesi suedez i automjeteve Premium do të nisë një ndërmarrje të përbashkët me startup-in e teknologjisë së makinave inteligjente, ECARX, për të zhvilluar sisteme software-ësh të funksionimit të makinës.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se ECARX-i, i cili është themeluar në vitin 2016 nga shefi ekzekutiv, Shen Ziyu dhe kryetari i Geely-t, Li Shufu, është fokusuar në teknologjinë e përdorur në software-ët e makinave, hartave me definicion të lartë dhe automjetet inteligjente.

Lidhur me ndërmarrjen e përbashkët, pritet që selia të jetë e vendosur në qytetin suedez të Gothenburg-ut dhe do të zhvillojë sisteme software-ësh për funksionimin e makinave të Volvo-s.

Por, jo vetëm për gjigantin suedez. ECARX-i do të ofrojë ekspertizën e tij të software-ëve edhe për marka të tjera nën emrin e Geely-t apo kompani të tjera me potencial në treg.

“Ndërmarrja e përbashkët e planifikuar do të lejojë si kompanitë edhe më gjerë, grupin Geely, të shpejtojnë zhvillimin e teknologjisë, të përmirësojnë efikasitetin e kostos dhe të krijojnë rrjedha të reja të të ardhurave”, kanë thënë kompanitë gjatë një deklarate.

Bashkimi i forcave mes kompanive vjen teksa ECARX-i, gjatë muajve të fundit ka kërkuar të mbledhë fonde për të zhvilluar teknologjitë e ardhshme.

Përpjekja e kompanisë nuk rezultoi pa sukses. ECARX-i grumbulloi nga investitorët mbi 200 milionë dollarë përfshirë financime nga firma kineze dhe amerikane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore