Libra

Volteri, njeriu i letrave


“Të përmendësh Volterin” thotë shkrimtari i madh Viktor Hygo, “do të thotë të karakterizosh të gjithë shekullit e tetëmbëdhjetë”.

Asnjë shkrimtar, filozof, dramaturg sa ka qenë gjallë nuk ka arritur të ketë ndikim aq të fuqishëm në bashkëkohësit e tij sikur Volteri. E gjithë Evropa i kishte sytë dhe veshët hapur për të dëgjuar se çfarë kishte për të thënë Volteri, sepse atë që thoshte, e thoshte pakrahasimisht më së miri në Evropë.

Voltaire, emrin e lindjes e kishte François Marie Arouet, dhe lindi në Paris më 1694, i biri i një noteri të suksesshëm dhe i një nëne aristokrate.

Kishte një vëlla besimtar të lëvizjes janseniste. Babai tij me shaka shprehej se kishte dy djem budallenj. ‘Njëri budalla në vargje, tjetri budalla në prozë’. Kurtizanja e famshme Ninon de l’Enclos qysh në fëmijërinë e Volterit kishte vërejtur shkëndija gjenialiteti te ai, dhe në testamentin e saj i kishte lënë 2000 franga që të blejë libra.

Prej dramave të para të rëndësishme ishin ‘Henriada’ dhe ‘Edipi’, ku kjo e fundit, në 1718, kishte thyer të gjitha rekordet në Paris dhe ishte luajtur për katërdhjetë e gjashtë net radhazi. Dhe Volteri me të drejtë lëvdohej se në Paris, ishe ai që e kishte futur poezinë në modë.

Ai pranohej, kërkohej, dhe nderohej në të gjitha qarqet e rëndësishme aristokratike të Parisit, dhe po ato e dalluan si një mjeshtër i bisedave, si një shkrimtar i pakrahasueshëm, dhe e konsolidoi pozicionin e tij në traditat më të rafinuara kulturore të Evropës.

Dhe me të drejtë shprehet historiani i filozofisë Will Durant kur thotë se ‘Italia kishte Renesansën, Gjermania kishte Reformacionin, Franca e kishte Volterin’.

Si një intelektual që acaronte jo pak njerëz të pushtetshëm ai u arrestua shumë herë dhe u dërgua në burgun e Bastille-it.

Më 1726-29, i dëbuar prej France nga autoritet e Parisit, ai do të pasionohet pas jetës, shkencës, filozofisë dhe mendimit anglez, ku edhe do të jetojë për tri vite. Në një kohë të shkurtër ai e shteron të gjithë literaturën angleze. Në veprën e tij ‘Letra mbi Anglezët’ ai shkruan se ‘Jo shumë kohë më parë një rreth i dalluar intelektualësh po diskutonin pyetjen se kush ishte njeriu më i madh, Çezari, Aleksandri, Tamerllejni apo Kromuelli? Dikush u përgjigj se padyshim që është Isaac Newton.’ Volteri në Francë për një kohë do të ishte Njutoniani më i madh.

Për këto pikëpamje angleze ajo vepër do të digjej publikisht si vepër skandaloze, në kundërshtim me religjion dhe mos-respekt ndaj autoritetit.

Veprat e tjera, Zadig, Candide, Micromegas, Gjeniu, Si Shkon Bota etj, ishin kryevepra të kohës, eksperimente të jashtëzakonshme humoristike dhe piktoreske, jo drama e novele të zakonshme të kohës, po aty Volteri idetë i bën personazhe dhe heronj, besëtytnitë në antagonistë dhe mendimet i përkthen në ngjarje.

Frederiku i Madh i Prusisë ishte i fascinuar pas Volterit. Në një letër ai shkruan për Volterin se “njeriu më i madh në Francë, dhe një njeri që e nderon gjuhën…E llogaris si nderin më të madh që kam lindur në kohën tuaj…Nuk i është dhënë të gjithëve aftësia për ta bërë mendjen të qeshë…Cilat kënaqësi janë më të mëdha se kënaqësitë e mendjes?’.

Volteri shkroi traktate mbi tolerancën fetare, moralin, politikën, historinë, filozofinë, shkencën, etj, dhe të gjitha shkrimet e tij janë thesar në vete. Stili dhe përmbajtja në shkrimet e tij janë të pakrahasueshëm me çfarëdo të prodhuar në Evropë. Mjafton të lexojmë ‘Kandidi ose Optimizmi’ ku parodizohet filozofi gjerman Lajbnic përmes pesonazhit Panglos me idenë e tij se ‘Jetojmë në botën më të mirë të mundshme’, dhe optimizmi naiv i Kandidit ku pas gjithëçfarë fatkeqsish prap beson se çdo e keqe ndodh për një të mirë më të madhe. Mënyra se si idetë filozofike i kthen në personazhe është madhështi dhe veçori në vete e Volterit.

Kandidi ose Optimizmi, Letra mbi Anglezët, Fjalori Filozofik, Mahomet, Zadig, Zaire, Micromegas etj, janë vepra që me domosdo duhen lexuar për të matur peshën e këtij mendimtari të jashtëzakonshëm.

Albanian Post ju sjellë disa thënie goditëse nga Volteri.

“Ky aglomerat që quhej dhe që ende vazhdon të quhet Perandoria e Shenjtë Romake, nuk ka qenë kurrë as Perandori as e Shenjtë e as Romake”.

“Zotit vetëm për një gjë i jam lutur, një lutje të shkurtër: O Zot, bëj armiqt e mi të duken qesharakë. Dhe Ai ma plotësoi”.

“Të gjithë njerëzit janë fajtorë për të mirat që nuk i kanë bërë”.

“Nuk mjafton vetëm të pushtosh; duhet të mësosh të joshësh”.

“Rrallë jemi krenarë kur jemi vetëm”.

“Sot gjithçka është mirë, ky është iluzioni ynë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore