Auto

Volkswagen ID.3 i ri


Volkswagen, prodhuesi gjerman i makinave që prej vitit 1937,  manifeston hyrjen në botën e makinave me bateri, me modelin elektrik ID.3 të ri.

“ID.3 shënon fillimin e një epoke të re dinamike në botën e mobilitetit elektrik. Performanca elektrizuese takon dizajnin avangard dhe autonomitë e përditshme”, dallon Volkswagen Albania.

Pjesa e jashtme e modelit të ri ID.3 vjen e konfiguruar me pamjen e cilësuar “futuristike” përmes fenerëve opsionalë LED, logos së re të ridizajnuar të Volkswagen-it dhe shtesës së dritës që shkon në të dyja anët e saj.

“Fenerët opsionalë plot stil me matricë LED, ndizen shkurtimisht sikur t’ju shkelin syrin, duke bërë që ID.3-shi të duket pothuajse njerëzor”, thotë Volkswagen Albania, duke shtuar se “ky lloj ndriçimi inteligjent e bën pasagjerin të ndjehet i mirëpritur”.

Përmirësime të dukshme ka pësuar edhe pjesa e brendshme e makinës. Dizajni i brendshëm ka ndjekur konceptin futuristik duke paraqitur një zgjerim të hapësirës në pjesën e pasme të makinës, i cili shton rehatinë dhe paraqet një mirëorganizim të ambientit.

Një element interesant është dhe tavani opsional panoramik prej xhami, i cili shtrihet pothuajse në të gjithë gjatësinë e tavanit dhe të mundëson shikimin me sy të lirë të pamjes që të ofron qielli.

Bateria, më e rëndësishmja e modelit ID.3, vjen me tre madhësi të disponueshme, 45 kWh, 58 kWh apo 77 kWh, të cilat mund të karikojnë lehtësisht makinën në mënyrë të shpejtë dhe të përballueshme për lëvizjet gjatë ditës.

Karikimi i makinës mund të realizohet në shtëpi përmes përcjelljes së energjisë elektrike, në Wallbox opsional, në parkingje me stacione karikimi dhe nëpër koncensionarë automjetesh.

Mirëpo, karikimi i automjeteve në Shqipëri nëpër stacione të posaçme karikimi paraqitet problematik. Koncensionarët e automjeteve në vend janë shprehur për Albanian Post se mungesa e stacioneve të karikimit ka bërë që fokusi i shitjeve të tyre mos të jenë makinat elektrike pasi kërkesa për këto modele është e pakët.

Një tjetër problematikë e ngritur prej tyre, ka të bëj me pamundësinë e karikimit të automjetit në kushte shtëpie pasi sasia e konsumuar e energjisë elektrike që do të shkojë për baterinë e makinës, nuk mund të jetë e përballueshme në raport me të ardhurat mesatare të familjeve shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore