Auto

Volkswagen, apelim të urdhrit të gjykatës holandeze për kompensimin


Prodhuesi gjerman i makinave, Volkswagen Group, ka njoftuar se do të apelojë një urdhër të gjykatës holandeze për të dëmshpërblyer pronarët e makinave të pajisura me software që synojnë të manipulojnë testet e emetimeve të motorëve me djegie.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se gjykata e rrethit në Amsterdam ka thënë se tre mijë euro dëmshpërblim ishin të garantuara për secilin blerës të një makine Volkswagen, Audi, Seat dhe Skoda të re që kishin programin të instaluar.

Kjo teksa pronarët e një makine të dorës së dytë duhet të merrnin 1 mijë e 500 euro.

Volkswagen-i ka deklaruar se nuk ishte dakord me vendimin, i cili ishte i fundit në një varg pagimesh dhe gjobash për prodhuesin e makinave që kur pranoi në vitin 2015 për të përdorur software mashtrues për t’i bërë motorët me naftë të dukeshin më të pastër se sa ishin.

“Ne besojmë se pronarët e makinave në Holandë nuk kanë pësuar ndonjë humbje ekonomike për shkak të çështjes”, ka pohuar Volkswagen-i në një deklaratë.

Dhe se “të gjitha automjetet janë të sigurta dhe të vlefshme për udhëtimin dhe asnjë humbje në vlerën e tyre tregtare nuk rezultoi në tregun holandez për shkak të çështjes, siç është konfirmuar nga ekspertët e jashtëm të vlerësimit”.

Gjykata ka bërë me dije se për sa i përket kompensimit, ai mbulon afro 150 mijë makina të shitura nga tregtarët e shënjestruar në padinë e ngritur.

Reuters shkruan se që nga shpërthimi i skandalit, problemi i ka kushtuar Volkswagen-it më shumë se 32 miliardë euro në gjobëvënie, rivendosje dhe kosto ligjore.

Në fillim të këtij muaji, kompania e automjeteve nisi edhe një apel kundër një urdhri të gjykatës italiane për të rimbursuar konsumatorët që merrnin pjesë në një proces gjyqësor për manipulimin e testeve të emetimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore