Shqipëria

Vokshi: Prokuroria dështoi, s’ka prova për implikime të protestuesve në dhunë


Deputetja nga radhët e demokratëve, Albana Vokshi, të mërkurën e 12 janarit, ka deklaruar se Prokuroria “nuk ka siguruar asnjë provë se 18 të arrestuarit në protestë, ishin të implikuar në akte të dhunshme”.

Vokshi bëri të qartë se të 18 demokratët kanë protestuar “në mënyrë paqësore” dhe “janë ndaluar në ambiente shumë larg selisë”.

Ndërsa ka vijuar duke shtuar se qytetarët janë arrestuar “me lista të përgatitura e të shpërndara”, në protestën e thirrur nga ish-kreu i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha.

“Arrestimi ishte i paligjshëm. Janë bërë me lista të përgatitura dhe të shpërndara, për të çuar deri në fund skenarin e Bashës dhe Ramës”.

Akuzat i hodhi dhe ndaj Policisë së Shtetit, për të cilët tha se nuk kanë reaguar në kohë.

“As organet ligjzbateuese nuk kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme”, tha ajo, ndërsa vijoi me akuzat

Protesta e Berishës

Më 8 janar të këtij viti, dhjetëra qytetarë kanë kërkuar largimin e lidership-it zyrtar të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, u nis drejt selisë së Partisë Demokratike me një mision të qartë në mendjen e tij: Të largojë Lulzim Bashën nga kreu i partisë.

Berisha u kërkoi mbështetësve të tij të vetëpërmbahen dhe vetëdeklaroi se protesta që po zhvillohet “është paqësore”.

Në të vërtetë, pamjet treguan krejt të kundërtën!

Këtë qëllim nuk e kishte vetëm ai, por edhe mbështetësit e ish-kreut të bluve.

I vetmi aspekt kundërshtues midis dy palëve, ishte ai i gjuhës së trupit të Berishës dhe asaj verbale.

Teksa Berisha thotë se protesta është paqësore, gjestet e tij të qarta u bënin thirrje mbështetësve të mësyjnë selinë.

Këta të fundit nuk ngurruan t’i binden liderit të tyre, të cilin e kishin rrethuar menjëherë si mburojë në mbërritjen e tij.

Dyert e xhamta ishin sakrifica e parë e godinës. Ato u thyen “pa dhunë”, sipas Berishës, duke u hapur vetë.

Fill pas protestës, Policia e Shtetit arrestoi në flagrancë 34 shtetas dhe procedoi penalisht 18 të tjerë, të dyshuar për vepra penale të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore