Sport

Vokrri për Albanian Post: Në FFK po bëhet vetëm çka po duan ata


Gjatë ditës së mërkurë, u raportua nga mediat, se kandidati për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës, Gramoz Vokrri, nuk i kishte valide të gjitha nënshkrimet e siguruara për t’u kandiduar për të parin e federatës.

Lidhur më këtë, Albanian Post e kontaktoi Gramoz Vokrrin, i cili tha se kishte lexuar në media për lajmin, por ende nuk e kishte ndonjë njoftim zyrtar.

“Nuk kam marrë ende ndonjë njoftim zyrtar nga FFK, por vetëm se lexova në media. Kjo tregon qartë një tendencë me eliminuar çdo lloj konkurrence”, tha i biri i Fadil Vokrrit.

“Asnjë ligj asnjë, asnjë rresht i statutit nuk respektohet, por sido që të jetë do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nënshkrimet e mia kanë qenë publike, dihen kush janë delegatët e klubeve, kështu që presim”, shtoi Gramoz Vokrri.

Tutje Vokrri u pyet nga Albanian Post se a do të bëjë ndonjë ankesë, në rast se atij i mohohet kandidimi për të parin e FFK-së.

“Problemi është që së pari në statut të FFK-së nuk shkruan askund që mblidhet një komision, nuk e di bazuar në çka me u mbledh”.

“Në fakt aty po bohet vetëm çka po duan, kështu që të pres njoftimin zyrtar njëherë, se nuk kam kurrfarë njoftimi, vetëm çka lexova mediumet, por te shohim”, tha mes tjerash kandidati për të parin e FFK-së, Gramoz Vokrri.

Kujtojmë që zgjedhjet në FFK do të mbahen më 6 prill, andaj nëse eliminohet Gramoz Vokrri, atëherë kryetari aktual, Agim Ademi do të mbetet kandidati i vetëm për këtë post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore