Lajme

Vokacionin e PD e përfaqëson Alibeaj – Fitim Zekthi flet për Albanian Post


Më 14 maj edhe Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore.

Kjo, pas shumë polemikave dhe diskutimeve të zhvilluara brenda kampit blu, e së fundmi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Dorëzimi i dokumentacionit shtesë, ashtu siç e Kërkoi Komisioni i Ankimimeve nga Sanksioneve, i hapi dritën e gjelbër kësaj force politike.

Në emër të kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj u dorëzua deklarata me të dhënat dhe deklarata e angazhimit solemn.

Përpos PD-së zyrtare, në garë për zgjedhjet është PD e Sali Berishës, por kjo e fundit pa vulë dhe pa logo, por në aleancë. Siç shpesh janë parë bashkë në angazhimin opozitar, edhe për zgjedhje Ilir Meta dhe Berisha do të jenë sërish bashkë.

Mirëpo çfarë ndikimi pritet të ketë te elektorati?

Politologu, Fitim Zekthi në një shpjegim të dhënë për Albanian Post ravijëzoi se “vendimi për regjistrimin e PD-së në zgjedhje në kuptimin e plotë të fjalës do të bëjë të mundur që në këto zgjedhje të ketë një forcë politike që qartësisht ruan linjat e orientimit të saj politik të themeluara në vitin 1991”.

“Në zgjedhje do të jetë ajo forcë që do t’iu mundësojë demokratëve të mos shkojnë në forca politike të tjera apo të mos degdisen qëllimisht në forca politike të majta apo problematike”.

Sipas Zekthit, gara do të jetë shumë e vështirë. Ai shtoi se pavarësisht që Alibeaj është kryetar i komanduar dhe jo i zgjedhur nga anëtarësia ai “përfaqëson shumë mirë të gjithë vokacionin e PD-së, vokacion që është tradhëtuar në mënyrë të pamendueshme nga shumëkush dhe sidomos nga lëvizja e Foltores”.

Politologu, Fitim Zekthi

Kujtojmë se PD e ankimoi çështjen në KAS, për shkak se drejtuesi i KQZ-së, Ilirjan Celibashi nuk pranoi regjistrimin e kësaj force politike, me supozimin se nuk kishin plotësuar dokumentacionin.

Lidhur me këtë çështje, Zekthi përsiati se  “vendimi i Celibashit ishte tërësisht në shërbim të drejtpërdrejt të Berishës dhe tërthorazi të kryeministrit Edi Rama i cili ka interes të pandalshëm që opozita të jetë e përçarë”.

“Zgjedhjet janë të njerëzve, janë e drejtë fondamentale e tyre për të zgjedhur qeverisjen e cila është një instrument i njerëzve. Nuk ka, nuk ekziston administratë zgjedhore, zyrtar zgjedhor që mund të pengojë këtë të drejtë fondamentale me arsyetime qesharake se duhet firma në një deklarim përbetimi e ish kryetarit të larguar”.

Vendimi i KAS-it, sipas politologut “thjesht riktheu legjitimitetin dhe padyshim që i shërben PD-së dhe paraqitjes së saj në garë”.

“Gjërat që janë kundër logjikës dhe kundër kohës nuk fitojnë kurrë. Kjo po ndodh dhe do të ndodhë edhe me lëvizjen e Foltores. PD-ja është ende aty, është gjallë, mund të jetë shpresa për një opozitë si alternativë ndaj qeverisë Rama”.

Ndërsa, për sa i përket thirrjes së Alibeajt që kandidatët e dalë nga primaret, të bashkohen nën siglën e PD-së.

Zekthi e cilëson si një thirrje të drejtë, pasi sipas tij “kështu duhet të jetë politika e mirë”.

Kujtojmë se Berisha së bashku me Ilir Metën dhe dy aleatë të tjerë kanë depozituar në KQZ koalicionin nën siglën “Bashkë Fitojmë”, i cili së bashku do të shohë të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Pjesë e tija janë Partia e Lirisë, Partia Demokristiane, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut dhe gjithashtu, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Kjo e fundit, është edhe arsyeja se pse si i tillë, koalicioni nuk ka gjasë të marrë miratimin e komisionerit për të qenë pjesë e procesit zgjedhor.

Pse lind kjo polemikë?

Së pari, gjithçka lidhet me çështjen e Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Problemi i vërtetë qëndron me pjesën ku kryetar i pretenduar, është Sali Berisha, i cili në vetvete ka treguar se ka shumicën e Partisë Demokratike dhe elektoratit me vete.

Por, në regjistrin themeltar të partive politike pranë Gjykatës së Tiranës, juridikisht njihet vetëm PD-ja me kryetar legjitim, Lulzim Bashën, e cila me dorëheqjen e këtij të fundit një vit më parë nga drejtimi i partisë, ka mbetur në dorë të grupimit të Enkelejd Alibeajt, i cili në vetvete pretendon se është kryetar i komanduar.

Për këtë arsye, Sali Berisha, nga ligji, nuk njihet si kryetar i demokratëve dhe kësisoj, ai nuk është drejtues i forcës së djathtë politike.

Mirëpo, në kërkesën e dorëzuar për koalicionin “Bashkë Fitojmë” nga ana e Partisë së Lirisë, shkruhet qartësisht se pjesë e koalicionin është edhe PD-ja.

Në shkresën e kësaj të fundit, janë përdorur të gjitha simbolet e partisë, me në fund firmën e Berishës dhe një vule të PD-së, gjë që nuk i takon këtij grupimi, pasi nuk ka legjitimitet për këtë akt.

Më tutje mandej, në dokumentacion, Partia Demokratike përcillet edhe si drejtuese politike e këtij koalicioni.

Së bashku me to, ishte edhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës (kjo e fundit i shpëtoi sa i takon regjistrimit).

Në argumentimin e asaj kohe nga komisioneri Celibashi, ishte e pamundur që në koalicion, pavarësisht se Berisha kishte bërë kërkesën, të figuronte edhe Partia Demokratike si pjesë e grupimit.

Kjo, edhe për faktin se paralelisht, në ato zgjedhje, si PD ishte regjistruar grupimi i Alibeajt të cilën e njohu dhe KAS, legjitim sërish në atë kohë për të përdorur siglat dhe vulën e forcës politike.

Ndaj, rasti më i mundshëm, është ai se koalicioni do të regjistrohet me tre parti: Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.

Më pas, kandidatët për bashkitë dhe këshilltarët bashkiakë, do të ndahen siç është theksuar më parë, në bazë të votave të marra në zgjedhjet e mëparshme, ku pavarësisht se mbi letër nuk do të ndodhet, Berisha do të marrë numrin më të lartë, me demokratët e tij dhe më tej, tre partitë e tjera, do të marrin zona të caktuara përsipër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore