Shqipëria

Vlorë/ Parandalohet ngjarja e rëndë kriminale, sekuestrohen 500 gramë eksploziv, në pranga 23-vjeçari


Në qytetin e Vlorës është parandaluar një ngjarje e rëndë kriminale.

Forcat policore kanë sekuestruar 500 gramë eksploziv të montuar në një pajisje me telekomandë, për t’u shpërthyer në distancë.

Ndërkaq, në pranga ka rënë 23-vjeçari Damiano Sejko.

Po ashtu janë sekuestruar dy armë zjarri, një armë gjahu, municion luftarak, lëndë narkotike, veshje si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

I arrestuari në flagrancë i mbante të fshehura në banesën e tij.

23-vjeçari dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal që po përgatitej për një krim të rëndë.

Shtetasi me iniciale D. S., u kap dhe u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në lagjen “Bashkimi”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 500 gramë eksploziv i montuar në një pajisje me telekomandë, për t’u shpërthyer në distancë, një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë me silenciator, një armë gjahu.

Gjithashtu 38 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, dy uniforma policie, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, dy aparate celulare dhe një automjet tip “Volkswagen”.

Duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar.

Ndërkohë vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin e shtetasve të tjerë që do të bashkëpunonin me shtetasin D. S. dhe për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore