Shqipëria

Vlora bën bashkë Shqipërinë dhe Kosovën në Ditën e Pavarësisë


Kuvendi historik Shqipëri-Kosovë ishte vetëm përgatitja e aktit final të 28 nëntorit.

Dita e shenjtë e Pavarësisë do të shënjohej nga mbërritja e Isa Boletinit në Vlorë për t’u mirëpritur nga Ismail Qemali.

110 vite më vonë historia do të përsëritet dhe mikpritës është sërish qeveria shqiptare.

Në kremtimin e Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 110-vjetorit të Pavarësisë, nuk munguan as krerët qeveritarë dhe shtetërorë të Kosovës.

Në nderim të traditës, nga Vlora nisën festimet kushtuar kësaj dite, me ceremonialin shtetëror të ngritjes së Flamurit, nën tingujt e himnit kombëtar dhe me praninë e personaliteteve më të larta politike të Shqipërisë dhe Kosovës.

Të pranishëm gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit ishin presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Autoritetet shqiptare përfaqësoheshin nga presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit Linda Nikolla dhe kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli.

Pas ceremonisë solemne të ngritjes së flamurit përfaqësuesit e të dyja vendeve vendosën një kurorë me lule pranë monumentit simbol të përpjekjeve dhe sakrificave të patriotëve shqiptarë për pavarësi.

Përballë monumentit u zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, dy kryeministrët, dy kryeparlamentarët dhe drejtues të pushtetit vendor, si dhe qindra qytetarë të Vlorës.

Begaj

“Me gëzim dhe krenari Vlora lavdimadhe dhe heroike na fton për të kremtuar 110-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”.

Kështu e nisi fjalën e tij kreu i shtetit përballë qytetarëve të pranishëm dhe mediave.

Bajram Begaj deklaroi se historia e Shqipërisë, është një histori luftërash e sakrificash, përpjekje të pafundme për liri.

Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, që me përgjegjësi historike jetësuan vullnetin shekullor të popullit me shumë guxim, shtoi presidenti.

Ai theksoi se kurora e pavarësisë është e mbushur me gurë të çmuar, që nga lavdia e Gjergj Kastriotit, të lidhja Shqiptare e Prizrenit, lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit dhe kryengritjet e njëpasnjëshme shqiptare në fillim të shekullit 20-të.

“110 vjet pas shpalljes së pavarësisë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Ballkan dhe gjithë botën. Kombi shqiptar ka forcuar pozitat duke u bërë një aktor i besueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ravijëzoi Begaj në fjalën e tij.

Para 110 viteve diskutohej, sipas Begajt, copëzimi i trojeve shqiptare, ndërsa sot Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në OKB.

“Ne kemi detyrim për fuqizim të faktorit shqiptar në rajon. Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtuese dhe kombëtare”, vijoi presidenti.

Kjo, pasi me ta nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e Integrimit Europian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë, garantoi Begaj.

Një mesazh ai e pati edhe për Kosovën, kur kujtoi se kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon.

“Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkëudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik”, u shpreh presidenti Bajram Begaj.

Në përmbyllje ai uroi të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, Arbëreshët, dhe shqiptarët kudo në botë.

Pas fjalës së mbajtur nga Presidenti Begaj, festimet në qytet vijuan me aktivitete të ndryshme dedikuar kësaj dite.

Muzeu ‘Kosova’

Në kuadër të aktiviteteve që kremtojnë Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 110 vjetorin e Pavarësisë, krerët qeveritarë të Shqipërisë dhe Kosovës vijuan vizitën e tyrë në Vlorë.

Rolin e “guidës” turistike e ka marrë përsipër kryeministri Rama, siç e dëshmojnë pamjet nga qyteti bregdetar.

Fillimisht, përfaqësuesit e lartë të të dyja vendeve iu drejtuan muzeut “Kosova” në Vlorë ku u takuan me deputetin demokrat Bujar Leskaj.

Brenda muzeut gjenden dy pavione, ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Pasi vërejtën ambientet e restauruara dhe historike, presidentja Vjosa Osmani dhe kreu i qeverisë Albin Kurti drejtuan udhën e tyre për nga shëtitorja e re.

Përgjatë rrugës, qytetarët vlonjatë u siguruan që krerët e qeverisë së Kosovës të ndiheshin “si në shtëpinë e tyre”.

Shumë prej tyre përshëndetën përzemërsisht dy udhëheqësit, madje disa prej tyre denjuan edhe t’iu shtrëngonin dorën liderëve në këtë ditë festive.

Pasi qëndruan për pak momente përballë godinës së bashkisë së Vlorës, ata iu drejtuan zonës së njohur si Lungomare.

Në të qëndronin orkestrat frymore nga Shqipëria dhe Kosova, të cilat mbushën diellin dhe ngrohtësinë e ditës me nota muzikore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore