Vende

Vjosa, një ndër të vetmit lumenj “të egër” në Evropë


Në një shkrim për ‘National Geographic”, gazetari Stefan Lovgren rrëfen për lumin Vjosa dhe impaktin që mund të shkaktojë ndërtimi i digave në këtë lumë.

Duke dalë nga një grykë malore aty pranë, lumi Vjosa rrezaton nëpër hapësirën e gjerë të zhavorrit poshtë këtij qyteti historik, të vendosur në kodër. Ujërat e tij me rrjedhje të shpejtë thurin një rrjet të çuditshëm kanalesh dhe përrenjsh. Ky është një lumë që shkon atje ku dëshiron.

Është gjithashtu imazhi i shumë lumenjve në Evropën Qendrore shumë kohë më parë, para se të ndoteshin, të ndërtoheshin diga apo t’u ndryshohej rrjedha. Sot, më shumë lumenj në Evropë janë ndryshuar apo vënë dorë mbi ta sesa në çdo kontinent tjetër.

Vjosa, e cila rrjedh e papenguar nëpër Shqipërinë e Jugut në Detin Adriatik, është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj evropianë që ende vazhdon të qëndrojë e egër. Kjo e bën atë shtysën kryesore për përpjekjet e ruajtjes edhe të lumenjve më të vegjël në të gjithë Ballkanin, të cilët gjithashtu mbeten relativisht të paprekur.

Megjithatë Vjosa, degët e saj dhe lumenjtë e tjerë të Ballkanit përballen me kërcënime të reja ndaj rrjedhave të tyre natyrore ndërsa zyrtarët në rajon po konsiderojnë propozimet për të ndërtuar më shumë se 3 mijë 400 hidrocentrale të reja atje.

Kritikët paralajmërojnë se zhvillime të tilla mund të kenë pasoja shkatërruese ekologjike për një nga rajonet më biodiversitare të Evropës. Përveç më shumë se një duzinë digash të reja të planifikuara për degët kryesore të lumit Vjosa, kërkimi i naftës po vazhdon në rrjedhën e sipërme të Vjosës dhe qeveria shqiptare ka miratuar planet për një aeroport të ri në deltën e saj, të pasur me zogj.

“Vjosa është beteja kryesore për mbrojtjen e lumenjve me rrjedhje të lirë në Ballkan dhe më gjerë”, thotë Ulrich Eichelmann, CEO i OJF-së “Riverwatch”, një prej disa grupeve të ruajtjes që disa vjet më parë u bashkuan në një koalicioni i quajtur “Save the Blue Heart of Europe”.

Gjatë një bio-sondazhi të vitit 2017 – i kryer mes planeve për të ndërtuar dy diga në seksionin e mesëm të Vjosës – rreth 40 shkencëtarë nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania gjetën dhjetëra specie që shumë kohë më parë ishin zhdukur nga lumenjtë e rregulluar në Evropën Qendrore, përfshirë shumë insektet.

“Vjosa është bota e humbur e Evropës.” thotë Fritz Schiemer, një ekolog në pension nga Universiteti i Vjenës, i cili drejtonte sondazhin.

Krijesa të vogla dhe shumë të vogla

Muajin e kaluar, pjesa më e madhe e ekipit të njëjtë shkencor u kthye në Shqipëri për një studim tjetër, këtë herë duke u përqendruar në dy degë kryesore të Vjosës, Shushicën dhe Bënçën, pjesë e një rrjeti lumenjsh të pacenuar që shtrihen tre herë më gjatë se vetë Vjosa.

“Është një shans për të studiuar lumenjtë në kushtet e tyre natyrore, gjë që nuk mund ta bëjmë më në pjesën më të madhe të Evropës”, thotë Schiemer.

Edhe pse pellgu i lumit është shtëpia e kafshëve karizmatike si rrëqebulli ballkanik, i cili ndodhet në rrezik zhdukjeje, biodiversiteti i tij më i pasur gjendet midis jovertebrorëve, ku insektet përbëjnë shumicën dërrmuese të specieve që jetojnë atje.

Afër fshatit Brataj, Anton Drescher qëndron në bregun me zhavorr të Shushicës, duke inspektuar një mur shkëmbi. Një potpuri me lule të egra kishte dalë nga çarjet e saj. Drescher, një botanist në Universitetin e Graz në Austri, identifikoi shumicën e tyre si specie tipike mesdhetare.

“Nuk mund të shihen këto lule dhe bimë, kështu të gjitha së bashku, në vende të tjera”, tha ai.

Të paktën 31 specie peshqish janë identifikuar në Vjosë, duke përfshirë disa lloje të rrezikuara, të tilla si Skadar, një krap i vogël endemik në Ballkan. Duket se lumi është bërë gjithashtu një strehë për ngjalat evropiane të rrezikuara në mënyrë kritike që vijnë nga deti.

“Ne shohim një bollëk peshqish detarë në pjesët e poshtme të lumit”, thotë Paul Meulenbroek, një ekolog peshqish në Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë.

Organizma të tjerë, të zakonshëm buzë lumit por shpesh të papërfillura, janë molusqet dhe veçanërisht kërmijtë, të cilët lulëzojnë në grumbuj të materialit organik të larë në brigjet e lumit. Ekzistojnë shumë pak të dhëna për këto krijesa të larmishme në Vjosë, thotë Michael Duda, një malakolog (zoolog i specializuar në studimin e molusqeve) në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës.

“Shanset janë që ne po humbasim specie që as nuk e dinim se ekzistonin”.

Çfarë rrezikohet

Detyra e katalogimit të florës dhe faunës ka marrë një nevojë urgjente. Kjo, për shkak të planeve për hidrocentralet në degët e Vjosës, që përfshin pesë përgjatë Shushicës.

“Të dhënat shkencore do të na ndihmojnë të provojmë në gjyq se digat do t’i bëjnë dëm serioz dhe të pariparueshëm ekosistemit”, thotë Dorian Matlija, një avokat në organizatën jofitimprurëse “Res Publica”, e cila po zhvillon një betejë ligjore kundër ndërtimit të digave.

Ndërkohë që ndërtimi i digave do të bllokonte migrimet e rëndësishme të peshqve, presioni intensiv i peshkimit, kohët e fundit, e ka sjellë dëmin për peshqit migrues.

Pranë vendit ku Shushica bashkohet me Vjosën, mund të shihen rrjetat e peshkimit që bllokojnë të gjithë gjerësinë e lumit. Nuk ka shenja të blinit evropian, në rrezik kritik zhdukjeje, i cili dikur vinte në lumin Vjosa për t’u shumuar.

Vjosa ka një digë, të ndërtuar në fund të viteve 1980 afër origjinës së saj në Malet Pindus përtej kufirit në Greqinë veriore, ku lumi njihet si “Aoos”. Por, për pjesën tjetër të rrjedhës së tij prej 170 miljesh, ai rrjedh lirshëm përmes një mozaiku të peizazheve malore shqiptare që përfshijnë kanione dhe pjesë lumore të thurura më shumë se një milje të gjerë.

Planet nga qeveria shqiptare për të ngritur diga në lumin Vjosa datojnë që nga vitet 1990, një kohë kaotike për Shqipërinë pasi doli nga dekadat e sundimit izolues dhe komunist. Me një popullsi prej më pak se tre milionë banorë, Shqipëria prodhon pothuajse të gjithë energjinë elektrike nga hidrocentralet, shumica e të cilave gjenden në lumenj në pjesën veriore të vendit, ku ka 170 diga.

Kërcënime të pashmangshme

Qeveria shqiptare ka tërhequr gjithashtu një stuhi protestash kur i shiti kompanisë holandeze “Shell”, të drejtën për të kërkuar naftë dhe gaz natyror në rajonin më jugor malor, përmes të cilit kalon lumi Vjosa.

Banorët atje thonë se çdo prodhim i ardhshëm i naftës do të ketë pasoja katastrofike mjedisore dhe do të shkatërronte zonën si një perlë turistike për shëtitje dhe rafting.

Planet për të ndërtuar një aeroport ndërkombëtar të financuar privatisht në deltën e lumit Vjosa janë kritikuar ashpër nga konservatorët.

Vendi i propozuar, dikur shtëpia e një aeroporti të vogël ushtarak, ndodhet brenda një zone me ujë që është e lidhur me lagunën e gjerë të Nartës. Uji atje është strehë për më shumë se 200 zogj kryesisht migrues, përfshirë flamengot, të cilat janë kthyer në zonë në vitet e fundit pas një mungese të gjatë.

“Ajo që e bën Shqipërinë të veçantë janë pasuritë e saj biologjike”, thotë Mirjan Topi, një ornitolog, cili punon si guidë turistike në zonën e  Vjosës dhe Nartës.

“Nëse ndërtohet aeroporti, një nga thesaret e mëdha të biodiversitetit, jo vetëm në Shqipëri por Evropë, do të humbasë”.

Një plan “mbrojtje”

Gjatë një takimi me votuesit përpara zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Edi Rama, u zotua se do e bënte Vjosën park kombëtar. Në vend të kësaj, qeveria e tij e quajti atë “park natyror”, një emërtim që Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës thotë se ofron më pak mbrojtje sesa statusi i parkut kombëtar. Një park kombëtar teknikisht ka mbrojtje ligjore kundër të gjitha projekteve të infrastrukturës, të tilla si hidrocentralet dhe aeroportet, ndërsa një park natyror jo.

“Vlera e lumit Vjosa garanton më shumë sesa përcaktimi i parkut natyror,” thotë Andrej Sovinc, nënkryetari i Komisionit Botëror të IUCN për Zonat e Mbrojtura.

Historikisht, zonat e mbrojtura janë projektuar për ekosistemet tokësore, jo lumenjtë që mund të përshkojnë ato.

Ndërsa disa parqe kombëtare evropiane janë emëruar pas lumenjve, ekziston vetëm një, Parku Kombëtar Danub-Auen në Austri, që mund të konsiderohet një park kombëtar lumor i vërtetë, pasi është i kufizuar në lumin Danub dhe habitatin e tij bregdetar. Por, ai park mbulon vetëm një pjesë të Danubit, i cili përndryshe është një nga lumenjtë më të modifikuar në Evropë.

Tani, avokatët e Vjosës po bëjnë presion për ta kthyer të gjithë rrjetin e lumit Vjosa në një park kombëtar.

“Degët janë si venat në trupin tonë që qarkullojnë gjak; nëse i presim, trupi do të vdesë”, thotë Besjana Guri nga OJF-ja mjedisore “EcoAlbania”, e cila po udhëheq fushatën mbrojtëse.

Duke u mbështetur në mbështetjen ndërkombëtare nga të famshëm si Leonardo DiCaprio dhe kompania e veshjeve Patagonia, vitet e fundit, fushata “Save the Blue Heart” ka fituar vazhdimisht terren në Ballkan, dhe kohët e fundit ajo ka shënuar një varg fitoresh.

Muajin e kaluar, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, njoftoi se shumica e kontratave të koncesionit për hidrocentralet e vegjël në vendin e tij do të anuloheshin.

Në të njëjtën kohë, Çmimi prestigjioz i Mjedisit “Goldman” iu dha “grave të guximshme të Kruščica-s”. Një grup grashë nga Bosnjë-Hercegovina që “pushtuan” një urë mbi lumin Kruščica për më shumë se 500 ditë e net, duke protestuar ndërtimin e dy hidrocentraleve.

Edhe në Shqipëri, ku çdo lloj aktivizmi qytetar u shtyp plotësisht për dekada, mbrojtja e mjedisit po bëhet më e dukshme në mesin e njerëzve, veçanërisht brezit të ri.

“Frika nga protestat ende ekziston, por kjo gjë po ndryshon”, thotë Olsi Nika, një biolog i OJF-së EcoAlbania.

Ai citon një sondazh të fundit që tregon se 94% e shqiptarëve duan që lumi Vjosa të caktohet si një park kombëtar, si dëshmi se bashkatdhetarët e tij po bëhen më të vetëdijshëm dhe vlerësues të pasurive të tyre mjedisore.

Për Eichelmann, i cili është gjerman, vizita në Vjosë është një kujtesë e asaj që dukej dikur një pjesë e madhe e Evropës Qendrore. Një mëngjes herët gjatë javës së eksplorimit shkencor, ai ndërmori një udhëtim gjatë një degë të vogël, pa emër, të lumit Shushica.

Papritmas, ai e gjeti veten në një vend ku uji i kristaltë vinte përreth ishujve të vegjël që ishin formuar në lumë. Gushëkuqët dhe pilivesat gumëzhinin rreth pemëve të plepit dhe rrapeve.

“Qëndrimi në një vend të tillë”, thotë ai, na bën të mundur ta “kuptojmë me të vërtetë se çfarë kemi humbur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore