Financa

Vjedhjet më të mëdha kripto të vitit 2021


Kriptoja është kthyer në kryefjalën e këtyre muajve të fundit.

Sidomos nga mbrojtësit e monedhës digjitale që lëshojnë fraza utopike mbi fitimet prej saj.

Por edhe duke e parë atë si diçka që ka revolucionarizuar financat.

Nga ana tjetër, nuk është sekret që mashtrimi dhe vjedhja janë dukuri të zakonshme në industrinë e kriptomonedhave.

Raportet nga grupe të ndryshme të mbikëqyrësve kanë treguar se peizazhi kryesisht i parregulluar i financave digjitale është i mbushur me kriminalitet.

Pasi kjo është ajo që ndodh në industritë e parregulluara.

Dhe përpos parregullsive qëndrojnë edhe dobësitë e përhapura të sigurisë kibernetike të infrastrukturës së kriptove, turmat e kriminelëve kibernetikë të etur për para që kërkojnë në internet për një portofol.

Sipas një studimi të kryer nga Crypto Head në gusht, ky vit ishte një nga më të këqijtë me rekord për hacker-imet dhe grabitjet e kriptomonedhave.

Numërohen afro 32 incidente të raportuara, të cilat arrijnë në afërsisht 2.99 miliardë dollarë humbje.

Shifrat e këtij viti rezultojnë më të larta se ato të vitit të kaluar, të cilat ishin 40 për qind më të larta se ato të raportuara në vitin 2019.

Ndërkohë, ende vazhdojnë të rriten. Dhjetori ka rezultuar një muaj tejet aktiv për hajdutët e kriptove.

Vjedhja e BadgerDAO, një platformë e decentralizuar e financave, ndodhi vetëm disa javë më parë. Sipas një postimi në blog të publikuar nga platforma, një palë e panjohur arriti të depërtonte në një numër llogarish të ndryshme përdoruesish më 2 dhjetor.

Dëmi? Ai llogaritet në afro 120 milionë dollarë fonde të vjedhura.

Badger ka shpjeguar se hacker-i injektoi një shkrim me qëllim të keq në faqen e internetit që i lejonte kriminelit të përgjonte transaksionet e përdoruesve aktivë dhe të ridrejtonte fondet e tyre në portofolin e tij.

Vetëm pak ditë pasi u grabit BadgerDAO, 150 milionë dollarë u zhdukën në tymnajë nga arkat e shkëmbimit të njohur të kriptove, BitMart.

Atë ditë, platforma lëshoi ​​një deklaratë në të cilën tha se do të “pezullonte përkohësisht tërheqjet deri në njoftimin e ardhshëm”.

Kjo pasi zbuloi një “shkelje sigurie në shkallë të gjerë” të lidhur me dy portofolë, llogari kripto digjitale të lidhura me internet.

Peckshield, firma e sigurisë kibernetike që fillimisht tërhoqi vëmendjen për incidentin, e përshkroi atë si një operacion “mjaft të drejtpërdrejtë”.

Një nga grabitjet më të mëdha dhe më të çuditshme të kriptomonedhave të të gjitha kohërave është ajo e Poly Network.

Më 10 gusht, shkëmbimi u hacker-ua, duke çuar në një humbje prej rreth 600 milionë dollarësh të parave të investitorëve. Çka ishte një nga vjedhjet më të mëdha të papritura në historinë e kriptove.

Sërish në muajin gusht, shkëmbimi japonez i kriptomonedhave i quajtur Liquid humbi 97 milionë dollarë.

Kjo pasi dikush hacker-oi sistemet e tij dhe synoi sistemin e llogaritjes shumëpalëshe (MPC) të kujdestarisë, një mekanizëm i supozuar i sigurt i aseteve digjitale kriptografike.

Një tjetër viktimë fatkeqe ka qenë edhe Vulcan Forged.

Kompania menaxhon një sërë shërbimesh dhe produktesh të ndryshme kripto, duke përfshirë një platformë DeFi, një treg NFT dhe disa lojëra video të bazuara në lojëra për të fituar.

Gjithsesi, Vulcan-it iu grabitën 140 milionë dollarë në fillim të këtij muaji, kur një hacker arriti disi të merrte çelësat privatë të 96 kuletave të platformës dhe të largohej me çdo cent të fundit brenda tyre.

Referuar vlerësimeve, hacker-i vodhi mesatarisht 1.46 milionë dollarë për portofol. Ndryshe nga shumë platforma kripto, Vulcan-i i rimbursoi paratë që u kishin humbur investitorëve.

Pastaj vjen edhe historia e Thodex-it, një shkëmbim kriptomonedhash turke, i cili dyshohet se u përball me rreth 2.7 miliardë dollarë para të humbura të investitorëve pranverën e kaluar.

 

Marrë nga faqja “Gizmodo”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore