Shqipëria

Vjedhja e të dhënave në “WhatsApp”, situatë serioze


Në një deklaratë për shtyp, Suela Boshnjaku, Specialiste në Sektorin e Krimeve Kompjuterike, tha se prej kohësh është evidentuar një problematike lidhur me sulmet kibernetike në të dhënat personale.

“Për të sqaruar më mirë opinionin publik, bëhet fjalë për një situatë serioze, e cila ka të bëjë me ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike, më saktësisht me marrjen e të drejtave të hyrjes në aplikacionin ‘WhatsApp’ nga persona të paautorizuar”, deklaroi ajo.

Aplikacioni “WhatsApp” aktivizohet në pajisjet e zgjuara nëpërmjet një procedure, e cila është e përcaktuar nga kompania. Për të bërë lidhjen e aplikacionit me numrin e telefonit të përdoruesit ose krijimin e llogarisë, kompania “WhatsApp” dërgon një kod gjashtëshifror në numrin e telefonit. Më pas, me anë të këtij numri, llogaria juaj aktivizohet.

Boshnjaku tha se përdorues të panjohur, deri më tani kanë krijuar një skemë për marrjen e llogarive të aplikacionit “WhatsApp”, duke regjistruar në një pajisje numrin e telefonit celular të viktimës sikur të ishte numri i tyre dhe më pas i dërgojnë viktimës në “WhatsApp” kërkesën për t’ia ridërguar kodin gjashtëshifror, me arsyetimin që është dërguar gabim.

Ajo theksoi se kjo kërkesë në “WhatsApp” vjen nga një person i cili ka njohje të mëparshme me viktimëm dhe që ka qenë edhe ai ose ajo viktimë e këtij sulmi.

Nëse personat që janë bërë shënjestër nga autori nuk reagojnë apo nuk dërgojnë numrin gjashtëshifror, autori nuk mund të realizojë atë veprim për të cilin ishte nisur të kryente, pra marrjen e llogarisë “WhatsApp”.

Hetimet e policisë

Personat që po kryejnë këto vepra kriminale aktualisht janë duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Boshnjaku bëri thirrje që asnjëherë nuk duhet të ndahet kodi gjashtëshifror me një person tjetër dhe të bëhet kujdes nëse merren telefonata nga biznese apo persona të panjohur.

Informacion

Nga biseda telefonike që zhvilluam me numrin e vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit (​0694155552), na u pohua se kur vjen kodi gjashtëshifror në “WhatsApp” , përveçse nuk duhet ndarë me dikë tjetër, duhet ruajtur një sreenshot, në të cilin duhet të dallohet kodi gjashtëshifror, ora dhe data. Këto të dhëna janë të vlefshme atëherë kur humbasim mundësinë për ta përdorur “WhatsApp-in”. Të dhënat vlejnë për riaktivizimin e tij.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike i bën thirrje kujtdo që dyshon se ndodhet përpara një rasti të tillë, të njoftojë Policinë e Shtetit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore