Lajme

Vjedhja e mbi 2 milionë eurove nga thesari i shtetit – Konfirmohet aktakuza ndaj dy të akuzuarve


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë ditës së martë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, të cilët ngarkohen se i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special përmes aktvendimit të saj, ka refuzuar kundërshtimin e provave dhe kërkesën për rrëzim të aktakuzës, ku palët lidhur me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Të akuzuarit Labinot Gruda dhe Kadri Shala, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë më 26 tetor të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 12 tetor të po këtij viti, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.

Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore