Lajme

“Vjedhja e 200 mijë eurove” përplas ministrin Murati dhe deputetin Haxhiu


Hekuran Murati, Ministri i Financave

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati, ka debatuar me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiun, pasi që ky i fundit pyeti se “a ka ndodh një muaj më parë një vjedhje e ngjashme në thesarin e shtetit në vlerë prej 200 mijë euro”?

Sipas Haxhiut nga thesari i shtetit janë paguar 200 mijë euro një kompanie dhe ky pagesë është mbajtur e fshehtë.

“2.1 milionëshi nuk është mbajtur e fshehtë e ka ditur e gjithë bota se kjo shumë e parave është vjedhur nga thesari i shtetit, por pse këto 200 mijë euro duhet me u mbajt të fshehtë”, ka thënë Haxhiu.

Pretendimeve të deputetit nga radhët e PDK-së, i është përgjigjur, Ministri Murati, duke thënë se kjo pagesë ka ndodhur nga një organizatë buxhetore tjetër e jo përmes thesarit të shtetit.

“Një rast i pagesës së dyfishtë për shkak të sistemit ka ndodhur nga një organizatë buxhetore që ka qenë e paligjshme, nuk ka ndodhur në Ministrinë e Financave ka ndodhur nga një organizatë buxhetore tjetër, nuk ka ndodhur përmes thesarit”, ka thënë Murati.

Ai ka treguar se me rastin në fjalë është duke punuar prokuroria.

“Ne si Ministri i Financave i kemi marrë të gjitha masat dhe të gjitha mjetet janë kthyer deri në centin e fundit dhe rasti është në Prokurori, kaq mund të them tani për tani”.

“Nuk është fshehur përkundrazi kemi mbajtur konferencë për media në lidhje me këtë çështje, mirëpo për shkak se hetimet janë në vijim e sipër nuk japim detaje, s’kemi mundur të japim detaje as në konferencë për media”.

Haxhiu, më tutje i ka replikuar ministrit të Finacave, duke i thënë se ju sapo e konfirmuat që e keni mbajtur të fshehur, një vjedhje nga thesari i shtetit.

“Keni paguar një kompanie në mënyrë kundërligjshme 200 mijë euro edhe sa po e pranuat që e keni mbajtur të fshehur”.

“Po mos të ju pyesja unë, ju nuk do të dilni të tregoni se rasti është në polici, ju veç e vërtetuat atë që e thash unë që keni bërë një fshehje të një keqpërdorimi dhe një vjedhje 200 mijë euro nga thesari i shtetit”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa Ministri Murati, ka akuzuar se deputetin Haxhiu se ky i fundit është duke shpifur, duke treguar se këto para i janë kthyere deri në centin e fundit thesarit.

“Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese e ka mundësuar që deputet mundë edhe me shpif në këtë foltore pa pas pasoja juridike”.

“Kështu që e keni lirinë. Mirëpo siç e thash për këtë çështje kam mbajtur konferencë për media, për këtë çështje është njoftuar edhe Prokuroria, për këtë çështje janë kthyer të gjitha mjetet deri në centin e fundit, për këtë çështje janë agjencitë ekzekutive të Ministrisë së Financave që kanë qenë të përfshira në kthimin deri në centin e fundit”, ka thënë Murati.

Ministri i Financave, Murati dy muaj më parë më saktësisht me 20 maj të këtij viti gjatë një konference për media, pas interpelancës të organizuar nga Kuvendi i Kosovës në emër të tij, kishte treguar për pagesat e dyfishta pa dhënë shumë detaje.

“Bëhet fjalë për disa organizata buxhetore, të nivelit qendror, pra institucionet e pavarura, ku është bërë pagesë e dyfishtë, sepse fatura ka ardhur përmes përmbaruesit privatë, por në të njëjtën kohë organizata buxhetore ka bërë pagesë edhe përmes vijës së rregullt si faturë e rregullt, lidhur me këtë janë njoftuar të gjithë organet e rendit”.

Organizata buxhetore të cilën e ka përmendur Ministri, Murati, mësohet të jetë Rektorati i Universitetit të Prishtinës (UP).

Institucioni në fjalë përmes një përgjigje ka sqaruar opinionin publik duke thënë se pagesa në fjalë ishte identifikuar pas dërgimit të konkluzionit për ekzekutim të pagesës nga ana e përmbaruesit, e cila ishte dërguar më 7 maj.

UP, ka treguar se kompania që ka marrë 100 mijë euro shtesë, pos pagesës për projektin, ka kërkuar mirëkuptim që mjetet t’i kthejë deri më 21 maj, por deri tash s’është realizuar kthimi i plotë.

Sikur Murati, edhe UP-ja ka bërë të ditur se për rastin janë lajmëruar autoritetet e hetuesisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore