Lajme

Vizita Veselit në Kosovë – nuk u la të qëndronte vetëm me nënën, nuk kishte qasje në pajisjet e komunikimit


Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 10 dhe 12 korrik, qëndroi në qytetin e Mitrovicës Jugore në Kosovë, pasi i kishte vdekur babai.

Gjykata Speciale ka publikuar raportin e vizitës së ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ishte i shoqëruar nga oficerët e sigurisë së Speciales.

Sipas këtij raporti, Veselit edhe pse i kishte vdekur babai, nuk iu kishte lejuar që të qëndronte më nënën e tij i vetëm.

“Grupi i dytë i vizitorëve përbëhej nga katër anëtarë të familjes së afërt. z. Veseli nuk ishte lejuar të jetë vetëm me nënën e tij ose ndonjë nga anëtarët e mësipërm të familjes në çdo kohë dhe asnjë person i paautorizuar nuk është lejuar të ketë kontakte me z. Veseli gjatë vizitës”, thuhet në raportin e Speciales.

Ndërkaq vizitat u kryen në sytë dhe brenda dëgjimit të zyrtarit kryesor të kujdestarisë. Derisa Veseli “pas mbërritjes së tij në Kosovë më 10 korrik 2021, vizitoi vendin e varrit të babait të tij në shoqërinë e një oficeri shoqërues”.

“Pastaj u takua me dy grupe të vogla vizitorësh të autorizuar, pas verifikimit të identitetit. Grupi i parë i vizitorëve përbëhej nga gjashtë anëtarë të familjes së ngushtë dhe një i afërm i shkallës së dytë”.

“Të nesërmen, në ambientin e sigurt, z. Veseli kishte vizita personale me dy grupe të vogla vizitorësh të autorizuar, pas verifikimit të identitetit”.

“Grupi i parë i vizitorëve përbëhej nga tre të afërm të shkallës së dytë dhe një anëtar i ngushtë i familjes. Grupi i dytë i vizitorëve përbëhej nga anëtarët e familjes së ngushtë. Asnjë person i paautorizuar nuk u lejua të takohet ose përndryshe të ketë kontakte me Z. Veseli në mjedisin e sigurt”.

Veseli, nuk kishte qasje në pajisjet e komunikimit ose mjete të tjera të komunikimit, përfshirë stilolapsin dhe letrën përveç atyre të lehtësuara nga KS.

“Për më tepër, z. Veseli nuk u lejua të kalojë ose marrë ndonjë send nga ndonjë person pa inspektim paraprak të oficerit (eve) shoqërues dhe, kur është e nevojshme, një përkthyes të SC”.

Sipas këtij raporti, “më 12 korrik 2021, z. Veseli u transferua përsëri në vendet e paraburgimit të dhomave të specializuara në Hagë, Hollandë”.

Mëngjesin e të mërkurës së shtatë korrikut, kishte vdekur Fazli Veseli, babai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-lideri të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Gjatë muajit maj të këtij viti, Veseli kishte udhëtuar nga Haga për ta vizituar babanë e tij, i cili ndodhej në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Me t’u kthyer në Kosovë, Veseli kishte vizituar spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.

Ndërkaq të mërkurën, në konferencën e radhës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dy ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, avokati i Veselit, Ben Emmerson ka deklaruar se klienti i tij po mendon se po mbahet peng dhe se Prokuroria nuk ka fakte kundër tij.

“Prokuroria kanë thënë hapur se nuk ka prova kundër tij as për kryerje fizike të krimeve, as për bashkëkryerje, as për ndihmë dhe inkurajim, apo marrje pjesë në ndonjë mënyrë tjetër në këto krime”, pati Emmerson.

“Ai mendon në mënyrë të arsyeshme që ai po mbahet peng ndërkohë që Prokuroria po vazhdon të vonojë procesin e përgatitjes për gjykim”.

Megjithatë, prokurorja ka thënë se “i ka përmbushur detyrimet e saj në mënyrë të shpejtë”.

Veseli, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për vrasje, përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore