Lajme

Vizita treditore në Kosovë, Lajçak i adresohet mediave


Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të mërkure në ora 9:45 do mbajë një konferencë për media pas vizitës treditore në Kosovë.

Në një njoftim të lëshuar thuhet se adresimi do të transmetohet drejtpërdrej në faqen e Bashkimit Evropian në Kosovë në Facebook dhe përmes platformës Zoom.

Diplomati sllovak të martën është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Sipas njoftimit për media të zyrës së Kurtit, në këtë takim është diskutuar për qasjen konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Gjithashtu, në këtë takim thuhet se është folur edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

“Kurti shprehi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit. Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi”.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftim.

Në njoftim, është rikujtuar marrëveshja e arritur për energjinë mes palës së Kosovës dhe Serbisë.

“Në saje të kësaj marrëveshjeje, pas më shumë se 20 vjetësh, katër komunat në veri Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë”.

“Me këtë marrëveshje, buxhetit të Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit”.

Lajçak pas takimeve me krerët e partive opozitare: E mirëpres mbështetjen e tyre të fortë për dialogun

Lajçak, pas takimeve me liderët e partive opozitare në Kosovë të martën, ka thënë se nga ta është informuar për gjendjen e dialogut dhe opinionet e vlerësimet e tyre.

“Në ditën e dytë në Kosovë u takova me lidershipin e partive kryesore opozitare shqiptare të Kosovës për tu informuar mbi gjendjen e dialogut dhe për të dëgjuar opinionet dhe vlerësimet e tyre. E mirëpres mbështetjen e tyre të fortë për dialogun”, shkroi Lajçak në Twitter.

Kryenegociatori i BE-së, pos takimeve me opozitar ka të planifikuara vizita edhe në Veri të vendit e në qytetin e Prizrenit.

Lajçak viziton Serbinë në fundjavë

Pas përfundimit të vizitës tre ditore në Kosovë, emisari special për dialogun i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pritet ta vizitojë Serbinë në fund të kësaj jave.

Qëllimi i kësaj vizite është të ruajë momentumin e arritur në dialog prej marrëveshjes së 21 qershorit për energjinë të nënshkruar në Bruksel mes kryenegociatorëve, respektivisht Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviçit.

Marrëveshja e nënshkruar mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Marrëveshja më tej detyron KOSTT dhe KEDS që brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, pas konsultimit me Elektrosever, t’i dorëzojnë ZRRE-së planin e investimeve, koston e kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore