Lajme

Vizita në Podgoricë, Schallenberg: Paralajmërim serioz nga BE’ja


Aleksandër Schallenberg

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Aleksandër Schallenberg, i cili ndodhet në Mal të Zi së bashku me ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka deklaruar se vizita e tij në Podgoricë duhet të shihet si paralajmërim i Bashkimit Evropian për lidershipin malazez.

“Kjo nuk është një vizitë dypalëshe, por një vizitë që vjen me një paralajmërim serioz nga BE. Ne duam që ky vend të bëhet pjesë e BE-së”, theksoi ai, transmeton mediumi malazez “Pobjeda”.

Kriza në politikën malazeze është thelluar edhe më shumë nga miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Presidentin e Shtetit si dhe mospajtimi mes partive politike rreth zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Mesazhe shqetësuese janë dërguar në Podgoricë nga shumë diplomatë evropianë dhe amerikanë, të cilët nuk e kanë fshehur shqetësimin për krizën politike, por edhe për pasojat që një ligj i tillë, mund të ketë rrugën evropiane të Malit të Zi.

“Nëse kjo situatë vazhdon, Mali i Zi do të humbasë një mundësi në rrugën drejt BE-së”, theksoi Schallenberg, duke shtuar se duan që Mali i Zi të kapërcejë bllokadën dhe ngërçin politik.

“Mali i Zi është një partner i ngushtë dhe ishte ndër vendet udhëheqëse drejt anëtarësimit, por gjërat tani duken ndryshe. Polarizimi i madh në shoqëri është kyç në Mal të Zi dhe për këtë jemi këtu”.

Diplomati austriak potencoi se presidenti Milo Gjukanoviç, kryeministri me mandat teknik Dritan Abazoviç dhe kryeparlamentarja Danijela Gjuroviç, janë përgjegjës për zgjidhjen e krizave me të cilat përballet Mali i Zi.

“Është në dorën e tyre të gjejnë një zgjidhje, ne nuk mund të imponojmë zgjidhje nga jashtë, ato duhet të vijnë nga brenda”, nënvizoi ai.

Ai nënvizoi se pas agresionit rus në Ukrainë, sfida më e madhe është funksionaliteti i institucioneve, i cili kohëve të fundit është vënë në pikëpyetje në Mal të Zi.

“Është koha për të zgjedhur sa më parë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka kohë për të humbur, sepse ka ndryshuar konteksti, ka ndryshuar Evropa”.

Për rëndësinë e kësaj vizite ka folur edhe vetë Gjukanoviç, i cili përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, potencoi se “është alarmi i fundit për Malin e Zi nëse dëshiron të ruajë të ardhmen e tij evropiane”.

Ndryshe, shumica parlamentare, me votat e 41 deputetëve, miratoi për herë të dytë ndryshimet në Ligjin për Presidentin, pavarësisht opinionit të Komisionit të Venecias, i cili kërkoi që ligji të mos miratohej.

Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Frontit Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” duan që presidenti Milo Gjukanoviç, të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.

Megjithatë, Gjukanoviç ka nënshkruar të premten Ligjin e ndryshuar për Presidentin e Shtetit, por s’do ta thërras për konsultime Miodrag Lekiç’in, mandatarin për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi nga “Fronti Demokratik”.

Pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk kanë arritur ende tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar gjykatën.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese është pa kuorum për vendimmarrje që nga mesi i shtatorit të këtij viti, madje edhe nëse së shpejti shpallet konkursi i ri për gjyqtarë, Mali i Zi edhe në vitin e ardhshëm mund të hyjë me një Gjykata Kushtetuese jofunksionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore