Lajme

Vizioni i Iranit për Lindjen e Mesme pas marrëveshjes me Arabinë Saudite


Hossein Amir-Abdollahian, ministri i Jashtëm i Iranit, përmes një interviste ka shpjeguar vizionin e Iranit për integrimin e tij të qetë në një Lindje të Mesme që është më e qëndrueshme dhe “paqësore”.

Kjo, pas marrëveshjes me Arabinë Saudite.

Më parë, Irani kishte qenë në mosmarrëveshje me Riadin, si dhe me shtetet e tjera të Gjirit. Irani punoi përmes përfaqësuesve dhe milicive në Irak, Liban dhe Jemen, duke nxitur konflikte dhe gjithashtu duke kërcënuar Izraelin.

Regjimi iranian po e zhvendos narrativën e tij, jo në retorikën në lidhje me Izraelin, të cilin ende zotohet ta shkatërrojë, por drejt vendeve të tjera.

Ministri ka thënë se Irani po pret më shumë tregti në rajon, veçanërisht me Gjirin. Po ashtu ka shtuar në listë Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Arabinë Saudite, duke vënë në dukje se Irani pret “dialog sigurie të nivelit të lartë” me sauditët në të ardhmen.

Po ashtu Irani pret me padurim të marrë pjesë në takimet e ardhshme të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO).

Irani ka aplikuar gjithashtu për t’u bashkuar me grupin e vendeve BRICS, një akronim për Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.

Çka nënkupton se Irani po pret më shumë bashkëpunim me Iranin dhe Rusinë. Nuk është për t’u habitur, kjo është thënë teksa liderët e Iranit dhe Rusisë takohen. Teherani po kërkon gjithashtu më shumë bashkëpunim detar me Rusinë në Oqeanin Indian.

Interesat e Iranit lidhen me ndërtimin e lidhjeve të tij me Gjirin, duke përfshirë Irakun, Omanin dhe Arabinë Saudite. Kjo do të çimentonte një lloj harku rregullimesh jugore, që do të çonte nga Irani nëpërmjet Irakut dhe Arabisë Saudite në Oman dhe kufijtë e Jemenit.

Ky do të ishte një ndryshim i madh nga vitet e kaluara kur Republika Islamike ishte e përfshirë në mbështetjen e Houthis në Jemen nëpërmjet dërgesave klandestine detare dhe shpesh në kundërshtim me Riadin dhe Abu Dhabin.

Irani pretendon tani se dëshiron të provojë diplomacinë, në vend që të përdorë armë.

Por ka edhe çështje të tjera në rendin e ditës, sipas Amir-Abdollahian.

Irani pretendon se nuk po merr anën në konfliktin e Ukrainës, edhe pse raportet thonë se e ka armatosur Rusinë me dronë. Megjithatë, Irani bën fjalë për të kërkuar paqen atje.

Në SHBA, Irani vazhdon të pretendojë se po punon për një shkëmbim të të burgosurve. Irani po kërkon edhe të përmirësojë lidhjet me Egjiptin dhe Jordaninë, sipas ministrit.

Intervista me ministrin e Jashtëm hedh dritë mbi shqetësimet kryesore të Iranit dhe përpjekjet për t’u riintegruar në Lindjen e Mesme dhe për të punuar me vendet në nivel diplomatik.

Më parë, Irani bënte shpesh këto lloj takimesh kryesisht me Turqinë, Rusinë dhe Katarin, dhe tani me Irakun dhe Sirinë duke zgjeruar iniciativat e tij.

Marrë nga “The Independent”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore