Lajme

Vitia: Sistemi Informativ Shëndetësor do të implementohet menjëherë nga qershori


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sistemi Informativ Shëndetësor i cili bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor, pritet të funskionalizohet në qershor.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në përgjigje për Radio Evropën e Lirë, ku sqaron se aktualisht është duke u bërë një “studim fizibiliteti i thukët”.

“Tash, për të mos pasur asnjë dyshim në hapat e vazhdueshëm, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, është duke u bërë një studim fizibiliteti i thukët, i cili do të përfundojë në muajin qershor dhe i cili do të na tregojë të gjitha rekomandimet dhe hapat konkretë se si do t’i qasemi ndërtimit të këtij Sistemi Informativ Shëndetësor, që të mos dështojmë edhe një herë”.

Ai tutje ka thënë se pas përfundimit të këtij studimi do të nis menjëherë implementimi i këtij sistemi.

“Me përfundimin e këtij studimi të fizibilitetit, nga qershori, menjëherë dhe paralelisht, jemi duke i bërë të gjithë hapat që të përgatitemi që, pas rekomandimeve, të fillojmë me implementimin e këtij sistemi shumë të rëndësishëm”, thotë Vitia.

Në vitin 2011, Ministria e Shëndetësisë për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve të Kosovës kishte provuar fillimin e zbatimit të këtij sistemi në tri faza.

Dy fazat e para planifikohej të përfshinin pilotimin dhe implementimin e sistemit në 30 për qind të territorit të vendit dhe vlerësimin e pilotimit në fund të vitit 2014.

Kurse, faza e tretë përfshinte implementimin e sistemit në gjithë territorin e vendit, me synim që të realizohej deri në vitin 2020.

Por, që as tash në vitin 2023, sistemi nuk ishte realizuar.

Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë (ZKA) kishte kryer një auditim për periudhën 2010-2017 lidhur me zbatimin e Sistemit Informativ Shëndetësor, si projekt i Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas këtij auditimi, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ta realizojë planin për këtë sistem.

Në një deklaratë me shkrim më 29 mars, 2023, Zyra Kombëtare e Auditimit përmendi disa arsye të dështimit të sistemit.

“MSH-ja ende nuk i ka funksionalizuar kartelat profesionale shëndetësore, të cilat nevojiten për identifikimin dhe autorizimin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor”.

Ndër të tjera nga ZKA-ja, është shtuar se shpërndarja e infrastrukturës fizike ka munguar në të gjitha institucionet shëndetësore, në të cilat ka qenë e paraparë dhe po ashtu nuk ka pasur riorganizim të të dhënave ekzistuese me qëllim që ato të futeshin në sistemin e ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore