Lajme

Vitia përshkruan punën në shëndetësi: Sikur të jesh poshtë në një situatë të rëndë dhe ta kesh për objektiv të ngjitesh lartë


Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia

Edhe pse në mandatin e parë kishte dhënë dorëheqje dhe për një kohë të gjatë nuk ishte i pranishëm në problematikat e vazhdueshme që e shoqëronin këtë sektor, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, bëri përpjekje që t’i përmbledh sfidat dhe sukseset e shëndetësisë në Kosovë.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Vitia ka folur për punën e tij dy vjeçare në këtë dikaster duke e përshkruar si “aspak të lehtë”.

“Ne na duhet vazhdimisht të sjellim në vëmendje se ku ja nisëm dhe ku jemi tani. Është pak shumë sikur të jesh poshtë në një situatë të rëndë dhe ta kesh për objektiv që të ngjitesh sa më lartë që është e mundur, shto këtu edhe faktin e pandemisë e cila edhe më shumë e rëndoi këtë sektor”.

“Me bindje këtu e konstatoj këtu para jush se nga kjo situatë tashmë e rëndë kemi dalë dhe para nesh i kemi objektivat dhe natyrisht edhe shumë vështirësi”.

Për Vitinë, vërejtjet, pakënaqësitë, kërkesat që e shoqërojnë vazhdimisht sektorin publik nuk janë duke u bërë nga personat adekuat.

“Ka edhe dezinformim për mjekët dhe punën e tyre. Por, mbi të gjitha ka shumë interesa të ndërtuar për këto dekada në kurriz të sektorit publik dhe respektivisht edhe shëndetit të qytetarëve. Ndaj shpesh deklarimet publike të shumë personazheve publik nuk përkojnë aspak me kontributin e tyre të dalluar në ngecjen e përgjithshme të këtij sektori”.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia

Fajin që disa nga planet mbeten të pezulluara në shëndetësi e vendosi tek pandemia COVID-19.

“Dy vitet e qeverisjes nuk ishin as të lehta e as të zakonshme. Pandemia dhe efektet e saj jo vetëm që na goditën, por ndaluan çdo projekt dhe plan në atë kohë, u ndalën apo pësuan regres mijëra plane dhe planifikime nga ne për t’i kryer si duhet në shëndetësi”.

“Për kundër vështirësive, pandemia u menaxhua me efikasitet dhe me minimumin e dëmëve për pasojat e jetëve individuale dhe kjo falë punës së palodhshme të stafit shëndetësorë”.

Por jo vetëm falë profesionistëve shëndetësorë.

“Edhe me mbështetjen e të gjitha mekanizimeve qeveritar dhe shtetërorë. Tani, jemi duke ndërmarrë hapat që me shpejtësi të vendosim themelet e një shëndetësie bashkëkohore”.

Nga stafi mjekësorë ka vazhdimisht ankesa për paga, por Vitia këto të fundit i quan “dinjitoze”.

“Për herë të parë profesionistët shëndetësorë janë trajtuar me paga dinjitoze duke u bërë nga të parët në rajon në këtë çështje. Trajtimi dinjitoz nuk është privilegj, e para është e drejt kushtetuese dhe nuk duhet ta marrin vetëm ata që kanë më shumë para”.

Edhe pse shëndetësia as aktualisht nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme, ministri fajësoi udhëheqjet e kaluara për gjendjen që e kanë gjetur shëndetësinë.

“E morëm mandatin nga ky kuvend në marsin e vitit 2021 dhe në situatën më të rëndë në rajon sa i përket shumë problematikave të tjera. Por, në një kohë rekord siguruam mjetët e nevojshme barnat, testet, organizuam trajnim të vazhdueshëm të stafit shëndetësorë, u organizum për komunikim transparent me qytetarët”.

“Ashtu siç premtuam në më pak se 12 muaj siguruam vaksinat e nevojshme ato më të mirat dhe më të sigurta në tregun e botës”.

Problemet në klinika, mungesa e infrastrukturës, mungesa e barnave, fashave, lista e pritjes në QKUK, çmimet e barnave, infuzioneve, e krejt në fund largimi çdo vit e më shumë i mjekëve nga Kosova, vazhdojnë të jenë vetëm disa nga problemet e vjetra që e shoqërojnë shëndetësinë kosovare.

Përveç kësaj aktualisht mjekët janë duke u përballur me mungesë të shtesave, shujtave dhe letrave higjienikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore