Lajme

Viti steril i Politikës së Jashtme të Kosovës


Flamuri i Kosoves

Politika e jashtme e Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas – përveç pranimit të subjektivitetit të Kosovës nga shteti i Izraelit, kjo fal marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo siç njihet ndryshe Marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar në mes të ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump – ka numëruar në vend.

Kjo për shumë arsye.

Gjatë vitit 2021 Kosova, edhe pse e detyruar të zbatojë një moratorium njëvjeçar për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizatat ndërkombëtare, nga katër shtatori prej kur ka përfunduar ky përkufizim deri më 31 dhjetor nuk ka arritur ta hedh as hapin e parë në këtë drejtim.

Po ashtu Kosova, për këtë periudhë 12 mujore nuk ka arritur të sigurojë njohje të reja përveç asaj të Izraelit, e cila ishte e garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përparimi në procesin e dialogut me Serbinë, të cilën Kosova për 11 vjet rresht e sheh si barrën e saj më të rëndë edhe gjatë këtij viti, ka qenë minor.

Steriliteti i Kosovës në raport me politikën e saj të jashtme nuk përfundon me kaq. Me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti II, Kosova është ballafaquar me një problematikë me të cilën nuk ishte përballur më herët.

Atë të mbetjes pa ambasadorë të 12 misioneve diplomatike në vendet më strategjike për Kosovën për rreth gjashtë muaj, kjo pas vendimit të Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla për të shkarkuar nga pozita ambasadorët e emëruar politik.

Ish-Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ish-Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ku u vendosën marrëdhëniet diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit

Kosova nuk arrin ta forcojë subjektivitetin e saj gjatë vitit 2021

Më 1 shkurt të këtij viti Kosova dhe Izraeli kanë arritur të vendosin marrëdhënie diplomatik, marrëdhënie e cila ishte derivat i Marrëveshjes së Uashingtonit i nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator të vitit 2020.

Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën e 1 shkurtit, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhej se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Vendimi nga të dy shtetet ishte cilësuar si “historike”.

Megjithatë historia e Kosovës në raport me sigurimin e ndonjë njohjeje tjetër përfundoi me kaq.

Gjatë këtij viti që po lëmë pas sidoqoftë ishte i dukshëm flirtimi i Kosovës me Greqinë, njërin ndër pesë vendet mos njohëse të BE-së.

Në gazetat e afërta me qeverinë greke, si ajo Kathimerini raportoheshin për një përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe një njohje eventuale e saj nga shteti helen.

Madje Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, në një intervistë për gazetën greke Real News, tërthorazi kishte argumentuar pro legjitimitetit të shtetësisë së Kosovës.

Gjithashtu kryediplomati grek duke arsyetuar qasjen e re helene në raport me Kosovën kishte pohuar se Greqia “nuk do krijimin e një ‘vrime të zezë’, në Ballkan”, duke aluduar kështu për një akomodim të interesave greke në gadishull.

Njohja e Kosovës nga Greqia për Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti do të ishte dëshmia thelbësore se Athina është e gatshme të luajë rol udhëheqës rajonal në Ballkan.

Por, përveç përafrimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, njohja e Greqisë nuk u sigurua.

Ilustrim, flamuri i Greqisë dhe i Kosovës

Kosova dhe Organizatat Ndërkombëtare larg njëra tjetrës

Kosova me nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit ishte zotuar se do të zbatoj një moratorium njëvjeçar për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizatat ndërkombëtare.

Sidoqoftë më 4 shtator të vitit 2021 moratoriumi në fjalë kishte mbaruar, dhe rruga e Kosovës për aplikim në struktura ndërkombëtare ishte hapur.

Ishte Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ai i cili kishte bërë të ditur se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në INTERPOL me arsyetimin e mungesës së përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës.

Është humbje e madhe dhe penalizim në aspektin e sigurisë për Kosovën, por me këtë mungesë aktuale të prezencës diplomatike, institucionet e Kosovës do të ishte mirë të mos aplikonin fare në INTERPOL.

Ky ishte edhe mendimi i ekspertëve të sigurisë dhe atyre të marrëdhënieve ndërkombëtare, kur kishin komentuar për Albanian Post mos anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Ilustrim

Dialogu, pa dialog

Për fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, Albin Kurti, dialogu me Serbinë ishte prioriteti i tij i tretë apo i katërt.

Megjithatë dëshirat dhe synimet e tij nuk u poqën me entuziazmin e madh të Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak të cilët një ditë pas votimit të Qeverisë Kurti II ia kujtuan atij se bisedimet me Serbinë janë të një rëndësie të veçantë.

Kështu pas 85 ditësh prej kur ishte votuar Qeveria Kurti II, më 15 qershor të vitit 2021 kishte rinisur dialogu i nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja.

Takimi në mes të delegacionit kosovar i udhëhequr nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe atij serb i udhëhequr nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kishte përfunduar pa ndonjë rezultat konkret, përveç katër pikave të propozuara të Kurtit që sipas tij të gjitha ishin refuzuar nga pala tjetër.

Akordim nuk kishte as në takimin e dytë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç.

Ndërsa për ndërmjetësuesin e BE-së, Borrell, “Kosova dhe Serbia duhet ta mbyllin kapitullin e së kaluarës dhe të shikojnë përpara”.

E kaluara ishte ajo që e përplasi Kurtin dhe Vuçiç në takimin e 19 korrikut.

Prandaj takimi në fjalë u karakterizua si shumë i shkurtër ku të dy palët përveç se nuk u dakorduan për asgjë, pozicionet e tyre mbetën diametralisht të kundërta.

Pas bisedimeve u dëgjuan madje edhe fjalë të rënda në adresë të njëri-tjetrit.

“Kryeministri i Kosovës refuzon të nënshkruajë dokumentin për stabilitet dhe siguri”, tha Vuçiç, pas takimit.

“Presidenti i Serbisë po gënjen, pala serbe ka refuzuar të gjitha”, u përgjigj Kurti.

“Pala e Prishtinës është jo serioze”, bisedimet “nuk janë të vështira, por të tmerrshme”, replikoi Vuçiç.

Marrëveshja e vetme që u arrit pas këtij takimi me ofendime ishte konstruktiviteti i të dy palëve për të vazhduar bisedimet.

Takimi i parë në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Megjithatë takim në mes të Kryeministrit Kurtit dhe Presidentit Vuçiç në kuadër të dialogut, nuk pati më, edhe pse një gjë e tillë ishte paralajmëruar për në muajin shtator të këtij viti.

Niveli i dialogut nga ai i lartë ra në nivel teknik, ku delegacioni kosovarë u përfaqësua nga zëvendësministri i parë Besnik Bislimi dhe ai serb nga drejtori i të ashtuquajturës zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Menjëherë pas takimit të parë teknik në kuadër të dialogut me Petkoviç, Bislimi deklaroi se tema e takimit ishte çështja e të pagjeturve, dhe se sipas tij problemi kyç në këto takime ishte mosgatishmërinë e palës serbe për të hapur arkivat ushtarake.

Prandaj për të zgjidhur këtë problem, Bislimi kishte propozuar që të dy palët të kenë qasje të plotë në të gjitha arkivat shtetërore të dy vendeve përfshirë këtu edhe qasjen e Serbisë në arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, ky propozim i Bislimit bëri jehonë në vend duke u kritikuar ashpër.

Ishte Lajçak ai i cili më 30 shtator kishte kumtuar lajmin se ishte arritur një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë për de-eskalimin e situatës së krijuar në Veriun e Kosovës pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të aplikuar masën e reciprocitetit për të gjitha veturat me targa serbe të cilët futeshin në territorin e Kosovës.

Marrëveshja në fjalë sipas Lajçak ishte arritur pas negociatave dy ditore.

Ndërsa marrëveshja kritikohej nga partitë opozitare në Kosovë, i pari i ekzekutivit marrëveshjen e cilësonte si arritje pasi tashmë ishte vulosur fakti se reciprocitet me targa do të zbatohet.

Fitore kishte shpallur edhe kampi i Vuçiç, i cili marrëveshjen e quante si sukses i madh i Serbisë, kjo për shkak se tërheqja e njësive speciale të policisë së Kosovës nga dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak të cilat ishin vendosur këtu për të kontrolluar zbatueshmërin e vendimit të qeverisë, ishte aprovuar me marrëveshjen e arritur.

Marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për targa

Kosova në trysni për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe që nga viti 2013 vazhdon të jetë temë debati në Kosovë.

Ndërsa Kosovës po i kërkohet të gjejë rrugë për themelimin e Asociacionit të Komunave, që sipas BE-së është një detyrim ndërkombëtar, Qeveria Kurti thoshte se nuk do të ketë asociacion një-etnik të komunave.

“Prishtina duhet ta Themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive”, ishte refreni i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti, vazhdon ta kundërshtojë idenë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe sipas tij, “nuk do të lejohet të ketë diçka që vë në diskutim funksionimin e shtetit”.

Se Kosova është në trysni për të themeluar asociacionin e kishte treguar edhe grindja e fundit në mes të Kurti dhe Borrell, pas përfundimit të mbledhjes së katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit.

Që të dy pas takimit kishin shprehur haptazi kundërshtimet mes vete në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Borell, ishte i prerë në atë se “Asociacioni i Komunave Serbe duhet të implementohet, sepse do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes së ardhme gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në anën tjetër, Kurti teksa kishte përmendur 33 marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kishte potencuar se “dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia, por Beogradit zyrtar gjithmonë pëlqen të përmend një marrëveshje”.

Billbordë të vendosur në Komunat veriore të Kosovës: “Mirësevini në Asociacionin e Komunave serbe”

Ambasadat pa Ambasadorë      

Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, Kosova ka hapur 32 misione diplomatike në vendet e ndryshme të botës.

Shkarkimi i 12 ambasadorëve në maj të këtij viti Kosovën e kishte vendosur në pozitë të vështirë në arenën ndërkombëtare dhe rrjedhimisht e kishte përkeqësuar përfaqësimin diplomatikë të saj në vendet më eminente të botës.

Më 19 maj të këtij viti, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, kishte shkarkuar nga detyra 12 ambasadorët politikë.

“Reformimi i shërbimit diplomatik” ishte arsyeja e kryediplomates kosovare kur ishte pyetur se pse kishte liruar nga detyra këta ambasadorë.

Tërheqja e ambasadorëve pa një plan për zëvendësimin e tyre ishte konsideruar nga partitë opozitare si një veprim jo i mençur e papjekuri diplomatike.

“Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me ‘çelës politik’ është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë”, ishin këto disa nga kritikat e ish-ministrit të jashtëm, Enver Hoxhaj kundrejt shefes së politikës së jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla menjëherë pas vendimit për lirimin nga detyra të disa prej ambasadorëve kosovarë.

Megjithatë qeveria kishte premtuar se emërimet e ambasadorëve të rijnë do të bëhen shumë shpejtë, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Gjashtë muaj ishte periudha e vakumit nëpër 12 ambasadat e Kosovës anë e mban botës.

Gërvalla, gjatë një emisioni televizivë kishte shpalosur disa nga emrat e ambasadorëve të rinj.

Kështu sipas kryediplomates Gërvalla, Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfaqësohet nga Ilir Dugolli, i cili së fundmi ka qenë ambasadori i Kosovës në Turqi.

Ambasada e Kosovës në Britaninë e Madhe do të përfaqësohet nga Ilir Kapiti, i cili para emërimit si ambasador ishte zëvendësministër në Ministrinë e Financave.

Gërvalla, kishte bërë të ditur se Mehdi Halimi do jetë ambasadori i Kosovës në Francë.

Shefja e diplomacisë kosovare po ashtu kishte njoftuar se përfaqësuese e Kosovës në Çeki do të jetë Albesjana Iberhysaj, ndërsa ambasadori i ri i Kosovës në Gjermani do të jetë Faruk Ajeti.

Për anëtaren e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Ariana Musliu-Shoshi, angazhimi dhe suksesi i ambasadorëve të rijnë do të varet nga direktivat që ata do i pranojnë nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

“Ambasadorët e emëruar kanë një biografi të pasur në karrierën diplomatike”, kishte thënë Shoshi për AP duke shtuar se ajo është e bindur se ata do e përfaqësojnë Kosovën në mënyrë më të mirë dhe më të denjë.

Ilustrim

Çudia e pozicionimit të Kosovës në raport me “Open Ballkan”

Me qëllimin për të krijuar një “BE të vogël” në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia në nëntor të vitit 2019 paraqitën nismën e tyre të quajtur “Mini Shengen”.

Shumë shpejtë kjo nisëm u pagëzua si “Open Balkan”, me arsyetimin e ofrimit të një mundësie edhe vendeve të tjera në rajon për t’u bërë pjesë e saj.

Kjo pasi që Kosova e kishte refuzuar kategorikisht atë, sikurse edhe Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.

Nisma në fjalë për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ishte pa vizion dhe si e tillë duhej refuzuar.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë”, thoshte Kurti.

“Nuk na duhen nismat të cilët nuk e kanë BE-në brenda”, arsyetohej ai.

Në takimin 29 korrikut në Shkup ku “Mini Shengeni” u pagëzua si “Open Ballkan”, të tre liderit Rama-Vuçiç-Zaev nënshkruan një sërë marrëveshjes, ku më e rëndësishmja ishte ajo e tregtisë së lirë në mes të tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhej në marrëveshjen e nënshkruar.

Mos pjesëmarrjen e Kosovës në “Open Balkan” ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e cilësonte si dizavantash kjo pasi që sipas tij, Kosova duhej të ishte pjesë e nismave për bashkëpunim rajonal në të kundërtën ajo do të mbetej si një “ishull” i izoluar rajonal.

Në anën tjetër, për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani “Open Balkan” ishte shkelës i parimeve të bashkëpunimit rajonal dhe parimit të gjithëpërfshirjes.

Për komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, iniciativa “Open Ballkan” duhej ndihmuar, kjo, parësisht prej vetë faktit se ajo mund të ndihmojë në mënyrë direkte në rritjen e shpejtë të Ballkanit duke përafruar rajonin me BE-në.

Ai, madje nuk kishte ngurruar të ftonte tre vendet e mbetura jashtë që t’i bashkohen sa më parë iniciativës.

“Ne mbështesim çdo përpjeke për integrimin ekonomik rajonal, Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal, CEFTA-n dhe ‘Open Balkan’”, ishin disa nga fjalët e dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili kishte deklaruar se Amerika mbështet iniciativën rajonale “Open Ballkan”, por se ajo duhej të ishte inkluzive me të gjashtë vendet e rajonit.

Ilustrim

 

“Suksesi” i Kosovës në arenën ndërkombëtare   

“Pritjet” që u bënë udhëheqësve shtetërorë nga vendet e ndryshme të botës, u cilësuan si arritja më e madhe e Qeverisë së Kosovës në politikën e jashtme.

Kështu në një video të publikuar rishtazi nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për 9 muaj qeverisje, suksesi më i madh i Kosovës në politikën e saj të jashtme ishin vizitat e udhëheqësve shtetëror të vendeve të ndryshme të botës, në Kosovë.

Vizitat këto të cilat nuk prodhuan asgjë konkrete, përveç disa fotografive të cilat shërbyen për të mbushur videon tetë minutëshe të Kurtit, në të cilën servohej e gjithë puna e Qeverisë Kurti II.

Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore