Lajme

Viti i tersit për qeverinë austriake


Për javë të tëra në Austri kanë qarkulluar zëra se cili nga zyrtarët e qeverisë do të jetë në lupën e drejtësisë për korrupsionin e kryer.

Të enjten e kaluar, hetimi arriti në nivelet më të larta të qeverisjes, ku dhe u bastis shtëpia e ministrit të Financave, Gernot Blumel. Ai është i dyshuari kryesor, në lidhje me një skandal të përfitimit të fondeve.

Sipas mediave austriake, kancelari Sebastian Kurz do të jetë personi i radhës që do të përballet me akuzat e Prokurorisë.

Kjo nuk është hera e parë që Austria përfshihet në një skandal të tillë. Në 2019-ën, qeveria e Kurz-it dha dorëheqjen pasi u gjend në një vorbull korrupsioni.

Skandali “Ibizagate” shpërtheu në 2019-ën, kur një kamera e fshehtë tregoi pamje të zyrtarëve në pushtet, që ishin të gatshëm të ndihmonin interesat ruse në këmbim të financimit.

Skandali i quajtur “Rasti i Kazinove”

Hetimi i fundit bazohet në dyshimin se një kompani bixhozi ka ofruar donacione për një parti politike dhe ka siguruar mbështetjen e zyrtarëve të Republikës së Austrisë.

Kompania Novomatic njihet si një nga kompanitë më të mëdha të lojërave të fatit, e cila është e përfshirë në hetim.

Një zëdhënës i Novomatic tha se pretendimet ishin “të rreme dhe të pasakta”.

“Viti i tersit për qeverinë austriake”

Me sa duket ky është viti i tersit për qeverinë austriake, e cila e nisi vitin me një dorëheqje nga ministri i Punës për plagjiaturë.

Ndërkohë të dhënat kanë treguar që ekonomia është një ndër më të goditurat në Evropë nga pandemia. Në fillim të shkurtit, një hetim zyrtar e vendosi inteligjencën austriake në tabelën e qitjes, për lejimin e një sulmi vdekjeprurës. Por, në sondazhet e zgjedhjeve kancelari mbetet ende i popullarizuar.

Këtë javë Kurz kaloi në mbrojtje, duke akuzuar prokurorët e premtuar se do të bëjë ndryshime. Ai shprehu dëshirën për të reformuar të gjithë sistemin e drejtësisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore