Shqipëria

Viti i ri nis me sanksione: Kufizime të eksporteve shqiptare drejt Bjellorusisë


Përmes një njoftimi zyrtar, autoritetet bjelloruse kanë vënë theksin te kufizimi i importeve nga disa shtete – mes tyre edhe Shqipëria.

Kjo masë sanksionuese, do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Mes shteteve të cilave do ju kufizohet tregtia me shtetin bjellorus renditen edhe Shtetet e Bashkuara apo Britania e Madhe.

Nga vendet e rajonit, listohet vetëm Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Mali i Zi.

Kufizimet priten të prekin më së shumti produktet ushqimore.

Megjithatë, për disa sektorë që i takojnë produkteve për përdorim personal apo konsum të brendshëm nuk do të ketë sanksione.

Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko
Sanksion pas sanksioni

Shqipëria është prej kohësh në të njëjtën linjë me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj shtetit lindor.

BE-ja do të ndërmerrte një seri masash të reja ndaj Bjellorusisë, për shkak të shkaktimit të krizës së emigrantëve në kufirin me Poloninë.

Redaksia e Albanian Post do e konfirmonte qëndrimin zyrtar të diplomacisë shqiptare karshi problemit të radhës të krijuar nga regjimi i Aleksandër Lukashenkos.

Nga zyra e medias pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, u bë me dije se sipas procedurave, Shqipëria do të ishte firmëtare e sanksioneve ndaj Minskut.

Zyrtari i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell

Autoritetet shqiptare iu bashkuan gjithashtu sanksioneve në nëntor të vitit 2020.

Asokohe, masat lidheshin me pretendimin për ndërhyrje të Lukashenkos në procesin zgjedhor.

Udhëheqësi bjellorus u shpall fitues për të pestën herë. Kjo mjaftoi që në Bjellorusi të ngriheshin protesta të shumta kundër rezultatit.

Forumi

Në qershor të vitit 2021 do të zhvillohej për të parën herë një forum biznesi mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë.

Palët përfaqësoheshin nga Dhomat respektive të Tregtisë dhe Industrisë (DHTI).

Më shumë se 50 sipërmarrës nga të dyja vendet ishin pjesë e këtij forumi.

Në përmbyllje të punimeve u la e hapur mundësia e bashkëpunimit mes sektorëve përkatës.

Nënkryetari i DHTI-së së Bjellorusisë, Denis Meleshkin do të garantonte nga ana e tij se Dhoma do të jetë e vënë në shërbim të biznesit.

Kjo, për të vendosur kontaktet e duhura apo për të asistuar në çdo ndihmë që sipërmarrja ka nevojë.

Këshilltari ekonomik i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkim Sykja do e linte të hapur mundësinë e një bashkëpunimi konkret.

“Gjithnjë e më shumë Shqipëria po vlerësohet nga Bjellorusia jo vetëm si një destinacion atraktiv turistik, por edhe si një mundësi konkrete bashkëpunimi në fushën e biznesit dhe investimeve”.

Sipas tij, hapja e zyrës së përfaqësimit të DHTI-së bjelloruse në Tiranë, ishte një tregues i qarte i interesit të sipërmarrjes të shtetit lindor për Shqipërinë.

Historiku

Sanksionet e fundit do të kenë një ndikim fare minimal në ekonominë shqiptare, por ndryshe nga sa është raportuar në mediat vendase, mes vendeve tregtia ka përvijuar gjatë viteve.

Në gusht të vitit 2014 dokumentohen të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) për eksportet drejt Bjellorusisë.

Referuar muajve të fundit të vitit 2014, eksportet shqiptare do të rifillonin në Bjellorusi.

Për herë të parë, drejt shtetit lindor, në periudhën korrik-gusht u eksportuan gati 3 milionë lekë “Fruta dhe arra të ngrënshme”.

Ndërsa në periudhën maj-shtator, do të eksportoheshin 3.7 milionë lekë zarzavate.

Në të kundërt, historiku i mëparshëm tregtar mes vendeve do të bazohej në eksportet e këpucëve.

WITS

Meqënëse nuk gjenden të dhëna zyrtare për të dëshmuar volumin tregtar mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë, mjafton t’i referohemi të dhënave të Bankës Botërore (BB).

Mekanizmi i BB-së, i titulluar “Zgjidhja e Integruar Tregtare Botërore” (WITS) sqaron se mallrat e konsumit janë ndër vite sektori më i suksesshëm i tregtisë mes dy vendeve.

Viti 2017 është më i arrirë ekonomikisht, ku është prekur dhe piku prej 3 milionë dollarësh – i eksporteve drejt Bjellorusisë.

Gjatë atij viti, 1 milion dollarë i takojnë vetëm eksportit të mallrave të konsumit.

2017 është dhe viti ku shënjohet një rikthim i traditës së eksportit të këpucëve me një xhiro prej 800 mijë dollarësh.

I vetmi sektor që ka ruajtur një trend pozitiv përgjatë viteve – pas mallrave të konsumit – është ai i tekstileve dhe veshmbathjeve.

Në vitin e fundit të përllogaritur nga WITS-i, që përkon me vitin 2019, importi nga Shqipëria qëndron në rreth 1 milion dollarë xhiro vjetore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore