Shqipëria

Vishaj: Nëse vendimi ndaj Llallës nuk ekzekutohet në 5 vite, ai shuhet


“Nëse vendimi nuk ekzekutohet brenda 5 viteve, ai shuhet”.

Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, Saimir Vishaj, ka shpjeguar për Albanian Post dinamikat mbi çështjen e ish-kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla, ku qartësisht theksohet se, nëse dënimi i tij nuk fillon të zbatohet brenda pesë vjetëve, ai mund të shuhet tërësisht.

Vishaj e bën të qartë edhe faktin se pse Llalla ka qenë fare i lirë gjatë kohës së gjykimit. “Nuk e ka penguar gjë lëvizjen e tij, sepse nuk ka pasur një masë sigurimi”, sqaron ai.

Sipas avokatit, me ligjin e ri, i cili ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2021, “duhet që Gjykata e Apelit t’ia njoftojë vendimin zyrtarisht të zbardhur ish-kryeprokurorit Llalla dhe jo diapozitivin që ka zbardhur dje”.

 

Në vijim, ai ka shpjeguar se vendimi hyn në fuqi ligjërisht në çastin që Gjykata e Apelit e njofton zyrtarisht të dënuarin, me vendim të arsyetuar. Nga ku fillon e drejta e rekursit për në Gjykatën e Lartë.

“Gjykata ka shpallur një shkurtim vendimi, që nënkupton ‘miratohet vendimi i shkallës së parë’”.

Nëse Adriatik Llalla nuk paraqitet vetë, ka të drejtën t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për ta pezulluar deri në kohën që të gjykohet nga ajo, “nëse është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka probleme me shëndetin e tij”.

Gjendja shëndetësore – justifikim apo arsye?

Një mundësi tjetër për Llallën, që sqaron për Albanian Post avokati Vishaj, është dhe gjendja shëndetësore e personit të dënuar me vendim Gjykate.

“Nëse personi është në kushte të rënda shëndetësore, mund t’i drejtohet Gjykatës së Apelit ose Gjykatës së Lartë, për ta pezulluar vendimin deri në gjykimin e çështjes në Gjykatën e Lartë”, tha ai.

Gjithashtu ekziston edhe mundësia që personi mund të vetëdorëzohet për të filluar vuajtjen e dënimit.

“Do të zbatohet vetëm një vendim. Që do të thotë se, që ditën e parë që ish-kryeprokurori do të paraqitet në një institut ekzekutimi, ajo do të jetë dita e parë e dënimit”, përmbyll sqarimin Vishaj.

Policia shkon ta arrestojë, Llalla nuk gjendet në banesë

Policia shkoi për të zbatuar urdhrin e arrestit si masë e vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por Adriatik Llalla nuk ishte në shtëpi!

Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare për Albanian Post, tashmë ai është shpallur në kërkim kombëtar.

Vendimi për dënimin e ish-kryeprokurorit qëndroi në këmbë edhe pas apelimit që ai i bëri çështjes rishtazi. Dy vjet burg dhe pesë vjet përjashtim nga çdo post dhe funksion publik.

Është ky dënimi që ish-kreu i Prokurorisë duhet të kryejë.

Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e SPAK-ut për Adriatik Llallën

Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi vendimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Llalla ka apeluar më parë vendimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila e ka dënuar atë “me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga çdo post dhe funksion publik”.

Seanca e 22 shtatorit u zhvillua me përfaqësimin e avokatit të tij mbrojtës, Sokol Hazizaj, ndërsa ish-kryeprokurori Llalla nuk u paraqit. Sipas avokatit, “ai ndodhet në regjim spitalor”.

Haziraj ka njoftuar dhe hapin e radhës që do të ndërmarrë rreth kësaj çështjeje, duke bërë me dije se do ta apelojë vendimin, të cilin e quan “të padrejtë”, në Gjykatën e Lartë.

Më herët, GJKKO vendosi shtyrjen e vendimit final të çështjes së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për më datë 22 shtator.

Provat e reja që avokati mbrojtës, Sokol Hazizaj, ka parashtruar paraditen e 9 shtatorit, nuk janë pranuar nga trupa gjykuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore