Film

‘Virgjëresha Shqiptare’, sukses ndërkombëtar


Pas në kohë…

Në Shqipërinë e vitit 1958. Një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat.

Agimi, biri i tradhtarëve, të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët dhe Luana, vajza e një njeriu shumë të respektuar, janë protagonistët e filmit shqiptar “Virgjëresha Shqiptare”.

Por, ai, protagonisti kryesor – që qëndron prapa kuintave dhe risolli traditat e një Shqipërie “të vjetër” – regjisori i mirënjohur, Bujar Alimani, në një prononcim për Albanian Post tregon emocionet për “krijesën” e tij, filmin “Virgjëresha Shqiptare”.

“Nuk mund ta shpreh sa krenar jam”, merr fill rrëfimi i Alimanit, “që më në fund po e publikojmë para botës”.

Sigurisht, kur pasioni për profesionin kthehet në një sukses, krenaria shtohet dyfish.

“Virgjëresha Shqiptare”, i prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar në Varshavë, në edicionin e tij të 37-të, rrëmbeu dy çmime prestigjioze, si: Ecumenical nga SIGNIS (World Catholic Assocation Comunication) dhe INTERFILM (International Interchurch Film Organisation).

“Marrja e dy çmimeve, në premierën e parë, dëshmon për vlerat kualitative artistike dhe estetike të filmit. Filmi bëri premierë botërore dhe, mbi gjitha, arriti të komunikojë me publikun”, vijoi drejtori artistik.

Pjesë nga filmi
  • Filmi trajton temën e gruas dhe pështjellimin e mendimeve në situatat e vështira të jetës zakonore shqiptare, sipas Kanunit.

“Në të vërtetë”, shpjegon regjisori, “filmi nuk flet për Kanunin, por për femrën shqiptare në rrathët e Kodit Zanor të maleve, dhe se si dashuria, në çdo kuptim, e bën atë të hakmerret për drejtësi, por edhe të falë”.

Një nga elementët që e bën atë të afërt me publikun është trajtimi “plot ngjyrë dhe delikatesë i gjithë imazhit të filmit”.

Ngjarja, e vendosur në Shqipërinë e viteve ‘50-‘70, sjell kohën kur regjimi komunist po konsolidohej fort.

Atëherë kur ekzistenca e femrës, si personalitet i veçantë, me dëshirat dhe vendimet e saj njerëzore, ishte thuajse e pamundur.

Në fakt, siç pohon dhe vetë Alimani, “Virgjëresha Shqiptare” e përballi publikun me historitë e shkuara shqiptare, pikërisht me “historinë patriarkale”, që ndoshta në një cep të Shqipërisë ekzistojnë edhe sot.

“Ky film nuk gjykon apo ngre gishtin moral, por i paraqet ngjarjet në terma realë, siç mund të kishin ndodhur pikërisht atëherë në Shqipëri”, ravijëzon regjisori.

Për të njëjtësuar kohën e zgjedhur të filmit, vitet ’50-’70, regjisori ka menduar dhe i ka realizuar xhirimet në zona të ndryshme të Shqipërisë, me rrugë të vjetra.

“Në këtë mënyrë kujtojmë sfondin e viteve të largëta”.

Në vijim të rrëfimit, Alimani përcjell dhe mesazhin që mbart ky film “humanizmi dhe paqja”. Personazhi kryesor e “zgjedh jetën me çdo çmim”.

Rina Krasniqi, e cila në film mban rolin kryesor, atë të Luanës, zbulon për Albanian Post për gjithë përsiatjen e mendimeve, mes një kërkimi “shpirtëror, mental e intelektual”.

Aktorja Rina Krasniqi

“Për të interpretuar këtë rol, kam kaluar në një fazë të gjatë, të thellë dhe mjaft të rëndë kërkimi shpirtëror dhe intelektual, nëpër amplituda të thella emotive”.

Një punë e palodhur, një punë që për t’u pasqyruar trajta origjinale, “më është dashur të kryej edhe transformime fizike”, thotë ajo.

Sipas Krasniqit, “storiet dhe historia e sakrificave të grave shqiptare dhe roli hyjnor i tyre në shoqërinë shqiptare janë elementet faktike determinuese për gjithë kombin”.

“Sot po manifestohen përmes sukseseve të kinematografisë”, përmbylli aktorja.

Regjisori Bujar Alimani

Në fund, drejtuesi artistik i filmit, duke folur për Albanian Post, jep mesazhin se ka shumë shpresë për kinematografinë dhe aktorët e rinj shqiptar.

“Besoj se është e domosdoshme tërheqja e më shumë përkujdesje e këtyre të rinjve në prodhimin Kinematografik shqiptar. Në qoftë se kinemaja shqiptare nuk shkëputet nga ndikimet e realizimit socialist, nuk do të ketë asnjë lloj drite në horizont”.

Më 15 tetor, në Tiranë, në Kinema Millenium, ishte edhe premiera e filmit “Virgjëresha Shqiptare”.

Një kastë e njohur aktorësh, si Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Alban Ujkaj, Lulzim Zeqja, Gëzim Rudi, etj., si edhe këngët e Eda Zarit janë pjesë e filmit.

Pa diskutim, një sukses!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore