Lajme

Vinfast do të ndërtojë fabrikën e automjeteve elektrike në SHBA


VinFast, prodhuesi vietnamez i automjeteve, ka nënshkruar një marrëveshje paraprake për të investuar dy miliardë dollarë për të ndërtuar një fabrikë në Karolinën e Veriut për të prodhuar autobusë elektrikë.

Ky mendohet të jetë vetëm investimi fillestar pasi kompania ka planifikuar të ketë një investim total prej katër miliardë dollarësh në kompleksin e vet të parë të fabrikës në SHBA.

Mësohet se ndërtimi fillon këtë vit sapo kompania të marrë lejet e nevojshme dhe pritet të përfundojë deri në korrik 2024.

Sakaq, kapaciteti fillestar i fabrikës do të jetë 150 mijë njësi në vit.

“Me një strukturë prodhimi në tregun e SHBA-ve, VinFast mund të stabilizojë çmimet dhe të shkurtojë kohën e dorëzimit të produkteve, duke i bërë makinat elektrike më të aksesueshme për klientët”, ka thënë shefi Nguyen Thi Thu Thuy.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka thënë se investimi i VinFast, i cili do të krijojë më shumë se shtatë mijë vende pune, është “shembulli i fundit i strategjisë sime ekonomike”.

“Ai bazohet në njoftimet e fundit nga kompani si GM, Ford dhe Siemens për të investuar përsëri në Amerikë dhe për të krijuar vende pune”, ka vijuar Biden.

Ky i fundit ka vendosur një objektiv ambicioz që gjysma e shitjeve të makinave të reja të jetë elektrike deri në vitin 2030.

Lidhur me fabrikën, ajo do të jetë e para në llojin e saj në Karolinën e Veriut dhe është njoftimi më i madh i zhvillimit ekonomik në historinë e shtetit.

VinFast po vendos baste të mëdha në tregun amerikan, ku shpreson të konkurrojë me prodhuesit e vjetër të automobilave dhe startup-et.

Kompania planifikon të kalojë në prodhimin e automjeteve tërësisht elektrike nga fundi i vitit 2022.

 

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore