Shqipëria

Vincenzo Del Monaco: Trafikimi i qenieve njerëzore, çështje e drejtësisë sociale


“Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një kujtim i zbehur historik: është një çështje sociale në Shqipërinë e sotme dhe mbart farën e një kërcënimi të mundshëm për sigurinë”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Vincenzo Del Monaco.

OSBE-ja sjell në vëmendje rastin e R.S. Gruaja 20-vjeçare nga Tirana solli në jetë një fëmijë, në burg, pas arrestimit për vjedhje.

Që në moshën 16-vjeçare ajo u pikas nga autoritetet si një hajdute seriale.

Në fakt, ajo e R.S. nuk është thjesht një histori e krimit të të miturve. Prindërit do ta braktisnin që në moshë të re.

Kur ishte adoleshente dhe jetonte me gjyshërit e saj, ajo do të shfrytëzohej seksualisht.

Pasi identifikimit të rastit të trafikimit, ajo u zhvendos nga autoritetet në një strehë. Por, më pas, u rikthye te gjyshërit e saj, ku vazhdoi shfrytëzimi seksual. Aktualisht, ajo gjendet në burg.

“Historia e R.S është vetëm një nga rastet komplekse të trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, e mbuluar nga një studim i fundit i kryer nga zyra ime”, shprehet kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Trafikimi i qenieve njerëzore, procesi i zënies në grackë të njerëzve përmes forcës, dhunës, mashtrimit ose detyrimit dhe shfrytëzimi i tyre për përfitime financiare ose personale, mund të ndodhë në çdo kohë dhe kudo.

Gjatë pesë viteve të fundit, autoritetet shqiptare kanë raportuar më shumë se 450 raste të viktimave, të supozuara dhe të identifikuara zyrtarisht të trafikimit, shumica e të cilave janë fëmijë, shkruan raporti i OSBE-së.

Sipas të dhënave më të fundit të besueshme dhe të disponueshme nga UNODC, numri i viktimave të trafikimit në rang global në vitin 2018 ishte rreth 50 mijë.

Megjithatë, trafikimi i qenieve njerëzore, fatkeqësisht, raportohet shumë pak. Me gjasë, numri i viktimave mund të jetë shumë më i madh.

Ky fenomen botëror ushqehet nga pabarazia sociale e ekonomike, varfëria, papunësia, dhuna e konflikti dhe bëhet i mundur falë teknologjisë.

Si i tillë, meriton vëmendje të lartë nga komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet kombëtare në Shqipëri, sjell në vëmendje OSBE-ja.

Cilët janë sot personat e trafikuar?

Çdokush mund të bëhet viktimë e trafikimit. Megjithëse, personat, që jetojnë në rrethana të pasigurta, mund të bëhen shënjestra. Ka më shumë të ngjarë të jenë të varur dhe, si pasojë, edhe të shfrytëzohen vazhdimisht nga trafikantët e tyre, shkruhet në raport.

“Hulumtimet e shumta për trafikimin e qenieve njerëzore na tregojnë se shpesh ëndrrat e këtyre individëve për jetë më të mirë, mund të përfundojnë në borxhe, kushte të këqija pune apo në trafikim, shfrytëzim dhe dhunë. Ata bëhen dy herë viktima kur punësohen nga organizata të krimit të organizuar”.

Problemi është edhe më i ndërlikuar në rastin e fëmijëve, veçanërisht të atyre që detyrohen nga prindërit e tyre të lypin ose të kryejnë krime të vogla.

Në hulumtimin e kryer nga Prezenca e OSCE-së, u dokumentuan 45 raste të fëmijëve të trafikuar ose të fëmijëve, që mund të bien viktima të trafikimit.

Siç është rasti i E.XH., një 15-vjeçar me çrregullime mendore. Që në moshë 11- vjeçare, ai ka lypur, shitur drogë, vjedhur dhe ka punuar herë pas here për të mbështetur të atin me aftësi të kufizuara.

Pas largimit nga qendra e përkujdesit shoqëror, një punonjës i mbrojtjes së fëmijëve e ka monitoruar vazhdimisht rastin e tij.

Raste si ai i E.XH tregojnë se trafikimi i qenieve njerëzore nuk trajtohet thjesht me largimin e një viktime nga shfrytëzimi, por kërkon zgjidhje afatgjata ekonomike dhe sociale për familjet dhe fëmijët. Këtu përfshihen punësimi, strehimi dhe arsimimi.

Kjo fillon me sisteme të forta dhe me burime të mira të mbështetjes sociale, të cilat parandalojnë trafikimin, shfrytëzimin dhe ushqejnë një mjedis mbrojtës për personat më të cenueshëm.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shton se ajo mbetet e përkushtuar për të ndihmuar në bashkërendimin e një qasjeje ndërdisiplinore, që ka në qendër viktimën e trafikimit, për të çrrënjosur të gjitha format e trafikimit të qenieve njerëzore, bazuar në qasjen gjithëpërfshirëse të OSBE-së për të trajtuar këtë krim të rëndë.

“Angazhimi ynë”, shkruhet në raport, “drejtohet nga të diturit se trafikimi përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rajonale, për shkak të veprimtarisë kriminale që përfshin ky fenomen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore