Shqipëria

Vijon verifikimi paszgjedhor, partitë e mëdha me vota mangët pas këqyrjes


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri, ka vijuar me procesin e verifikimit të materialeve zgjedhore për 10% të qendrave të zgjedhura me short, ku bie në sy fakti se partitë e mëdha, rezultojnë me më pak vota se sa në zgjedhjet e 25 prillit, edhe pse ndryshorja është minimale.

Numrin më të madh të votave të mangëta, i ka Partia Socialiste, me gjashtë të tilla. Ndërsa në procesin e 25 prillit, rezultonte me 2 mijë e 622 vota, pas verifikimit rezulton me 2 mijë e 616 vota. Pra, gjashtë më pak.

Partia Demokratike po ashtu rezulton me katër vota të mangëta. Nga 4 mijë e 132, pas verifikimit janë 4 mijë e 128. Me vota mangët, tre të tilla, është edhe Partia Socialdemokrate.

Lëvizja Socialiste për Integrim nga ana tjetër, ka vetëm një votë më pak pas verifikimit.

E vetmja parti me një votë më shumë pas verifikimit, është Aleanca Bashkimi Popullor Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët.

Kutitë e numëruara deri tani, i përkasin Qarkut Shkodër.

Pavarësisht ndryshimit në numër, shifrat mbeten të papërfillshme për ndryshim rezultati zgjedhor apo kontestime.

Ashtu si ka bërë me dije përmes një postimi në Twitter komisioneri shtetëror për zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, verifikimi i qendrave të tjera, do të vijojë me një shtrirje përgjatë ditëve të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore