Lajme

Vëzhguesi: Gruaja e El Chapo-s “nuk është një peshk i madh”


Gruaja e shefit më famëkeq të kartelit të drogës në botë, Joaquin “El Chapo” Guzmán, Emma Coronel Aispuro, është paraqitur në gjyq, një ditë pasi u arrestua në aeroportin ndërkombëtar të Washington-it. Ish mbretëresha e bukurisë akuzohet për ndihmën ndaj El Chapo-s, për të drejtuar perandorinë e tij të drogës nga burgu.

31-vjeçarja meksikano-amerikane u martua me mbretin e drogës në 2007, pasi ai e pa atë në një konkurs bukurie.

Aispuro akuzohet gjithashtu për ndihmën që i dha burrit të saj gjatë arratisjes së famshme në 2015.

Modelja kishte besuar se nuk kishte probleme me sistemin gjyqësor amerikan pasi ishte shfaqur shumë herë në SHBA. Ajo u shfaq në vitin 2018 gjatë gjyqit të burrit të saj, i cili u dënua me 30 vite burg. Kur u pyet për kartelin e drogës Sinaloa, bashkëshortja e El Chapo-s pretendoi se nuk dinte asgjë.

Njohja me El Chapo-n

Ajo ishte 17 vjeçe kur Guzmán u paraqit me shoqëruesin e tij për ta parë atë të fitonte një konkurs bukurie në fshatin e familjes së saj. Bukuroshja lindi në Santa Clara, California, por ishte rritur në fshatrat e Meksikës rurale.

Dëshmia e agjentit special të Byrosë Federale e Hetimit (FBI), Eric McGuire, në gjykatën e rrethit Washington DC tregon se ajo e dinte me kë po martohej. Kjo, pasi vëllezërit e saj dhe babai, Inés Coronel Barreras, ishin anëtarë të kartelit.

“Coronel e njeh dhe e kupton kartelin Sinaloa. Ai është karteli më pjellor në Meksikë”, tha McGuire. “Coronel ishte e vetëdijshme për dërgesat e kokainës, prodhimin e heroinës, dërgesat e marijuanës dhe sasinë e ngarkesave të metamfetaminës”.

Opinioni meksikan 

Falko Ernst, analisti i lartë i Meksikës për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, sugjeroi se kishte një element gjeopolitik pas arrestimit të Coronel.

“Ajo nuk është një peshk i madh. Ajo është e famshme për sistemin narkotik. Por, për sa i përket funksioneve të saj brenda skenës së Sinaloa, ajo nuk është një lojtare e madhe”, tha Ernst.

“Pra, ky akt i ndalimit të saj dhe mbajtjes së saj në Shtetet e Bashkuara është më shumë një veprim simbolik. Ai përjetëson mesazhin se Shtetet e Bashkuara do të jenë akoma një faktor në atë që ne e quajmë ‘lufta kundër drogës’ këtu në Meksikë”.

Paraqitjet televizive të Coronel dhe përpjekjet për të pasuruar imazhin e burrit të saj ishin më shumë se kotësi, tha një vëzhgues i afërt i kartelit Sinaloa në qytetin e Culiacán.

Prokurorët federalë argumentuan në një gjykatë të Nju Jorkut se gjatë një çerek shekulli, El Chapo kishte grumbulluar një pasuri prej të paktën 12 miliardë e 666 milionë e 181 mijë e 704 dollarësh , por pavarësisht nga kjo shifër shumë e saktë, përpjekjet për të kapur pasuritë tij deri më tani nuk kanë bërë përparim.

“Jo e gjithë kjo pasuri ekziston,” tha vëzhguesi. “El Chapo kishte para, natyrisht, por jo aq sa mendojnë të gjithë”.

Marrëdheniet e El Chapo-s me presidentin meksikan

Të martën, presidenti i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador, përshkroi me përpikëri arrestimin “një çështje që është në dorë të Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti, i njohur edhe si Amlo, u kërkoi prokurorëve të SHBA-së të japin detaje mbi çështjen. Amlo gjithashtu sugjeroi që çështja Coronel mund të lidhej me një çështje kundër ish-sekretarit të sigurimit publik të Meksikës Genaro García Luna, i cili u arrestua në Dallas në 2019 me akuzat e trafikut të drogës dhe po pret gjykimin në Shtetet e Bashkuara.

Amlo ka përdorur një ton përgjithësisht të qetë me familjen Guzmán dhe nuk ka pranuar të flasë keq për El Chapo. Presidenti përshëndeti nënën e moshuar të El Chapo, María Consuelo Loera, në mars të vitit të kaluar dhe pranoi se ajo kishte kërkuar ndihmë për të marrë një vizë amerikane për të vizituar djalin e saj në një burg e sigurisë së lartë në Firence, Kolorado.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore