Kosova

Vetura shkel dhe i hip sipër një qytetari në Leposaviq, policia po merret me rastin


Pamje nga aksidenti i ndodhur në Leposaviq

Aleksandar Arsenijeviç, politikani serb në Kosovë, në llogarinë e tij në Facebook ka publikuar një video ku shihet momenti kur një qytetar goditet nga një veturë në lëvizje gjersa shoferi incizonte veprimin e tij.

Sipas pretendimeve të Arsenijeviç, i cili së fundmi është certifikuar si kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut, ngjarja e rëndë ka ndodhur në komunën e Leposaviqit.

Redaksia e Albanian Post ka kontaktuar, Arsenijeviç, për të marrë detaje shtesë për videon në fjalë, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Arsyet e goditjes ende nuk dihen, ashtu si edhe fati i viktimës.

Arsenijeviç, rastin në fjalë e ka ndërlidhur me mungesën e pranisë së Policisë së Kosovës në rrugët e komunave veriore të Kosovës, kjo pasi që serbët dhanë dorëheqje nga ky institucion – por, jo vetëm –  pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave.

“Më tmerron skena e komunës së Leposaviqit ku një burrë (nëse mund të quhet kështu) shkel një njeri në rrugë në mungesë të policisë, duke plotësuar disa nga tekat e tij personale. Shpresoj që një ditë të përgjigjet për këtë krim!”, ka shkruar ai në mbishkrimin e videos.

Albanian Post ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti, i cili ka deklaruar se Policia në këto momente po merret me rastin.

“Videoja që është publikuar në rrjete sociale e kemi parë, e kemi kontaktuar Prokurorinë, mirëpo ankues apo palë të dëmtuar nuk kemi lidhur me rastin, tash duhet me u verifiku lokacioni ku ka ndodhur rasti dhe kur ka ndodhur dhe janë disa procedura që duhet të ndiqen”, ka thënë Hoti për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore