Lajme

“Vetting në arsim” – kërkesë e 35 organizatave të shoqërisë civile


Qeveria e Kosovës.

35 organizata të shoqërisë civile në një deklaratë të përbashkët për Qeverinë e Kosovës kanë kërkuar “vetting” dhe përjashtim të plagjiatorëve nga Universiteti i Prishtinës.

Zhvillimet e fundit për zgjedhjen e anëtarëve në Këshillin Drejtues të UP-së ditë më parë në një proces të akuzuar politik dhe mospërjashtimi i profesorëve të cilët nga Këshilli i Etikës së UP-së janë shpallur plagjitorë, ka bërë që të tregojnë për një shpërfaqje jocilësore të arsimit në Kosovë.

Në kërkesën e shoqërisë civile thuhet se angazhimet që dy dekada po tregohen të padobishme.

“Në një proces zgjedhor ku senatorë të UP-së mund të jenë dhe janë: plagjiatorë tashmë të shpallur edhe nga Këshilli i Etikës, apo persona pa kredenciale akademike, persona pa integritet për pozitat që i mbajnë, nuk ka asnjë mundësi që rezultati i vet atij procesi të prodhojë një kualitet tjetër”.

“Rrjedhimisht, përzgjedhja në Këshillin Drejtues e të personave me probleme të theksuara të integritetit akademik, e dëshmon në mënyrë të qartë se institucioni ka probleme serioze me cilësinë dhe integritetin akademik, dy nocione themelore në saje të së cilave ekziston universiteti”, thuhet në njoftim.

Ata kanë kërkuar verifikimin e kredencialeve akademike.

“Është koha që institucionet e shtetit të fillojnë një proces kombëtar të verifikimit të kredencialeve akademike me qëllim pastrimin e strukturës së stafit akademik ashtuqë situata si të ditëve të fundit të mos jenë të mundura më”.

Shoqëria civile kontrollim po kërkon edhe në tezat e doktoratës dhe punimeve shkencore.

“Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i bëjmë thirrje Qeverisë që të shfrytëzojë mundësinë përmes projektligjit për Arsimin e Lartë i cili tashmë është në procedura të miratimit dhe të ndërtojë mekanizma kontrolli për integritetin akademik, verifikimin e kredencialeve akademike dhe rritjen e rigorozitetit të rregullave për marrjen e titujve akademike e gradave shkencore”.

Ndër të tjera, presin nga Qeveria që të angazhohet më shumë në këtë drejtim dhe të ketë pasoja për personat që kryejnë vepra të tilla në arsim.

“Ne organizatat nënshkruese të kësaj deklarate, i shprehim universitetit zhgënjimin tonë të thellë që edhe në rastet kur nga vet organet e tij verifikohet plagjiatura e personave të caktuar, dënimet janë vetëm simbolike dhe në shpërputhje me praktikat globale. Prandaj, i thërrasim Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve tjera relevante të Arsimit të Kosovë që plagjiatura të lihet jashtë cilitdo institucion kur verifikohet ajo”.

Ndryshe, procesi i Vettingut në Kosovë do të përfshijë të gjithë gjyqtarët me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi i Vettingut synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore