Lajme

Vetoja ruse e OKB-së mund të kërcënojë dërgimin e ndihmave për 3 milionë njerëz


Rusia ka kërcënuar se do të vendosë veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas të cilit riautorizohen dërgesat ndërkufitare të ndihmave jetike në Sirinë Veriperëndimore të kontrolluar nga opozita.

Mbyllja e rrugës së fundit nga Turqia do të rrezikonte menjëherë më shumë se 3 milionë njerëz në rrezik nga uria.

Më poshtë gjendet një rrëfim i këtij kalvari të zbuluar nga Anna Foster, reporterja e prestigjiozes “BBC”:

“Umm Ali po zien me kujdes një tenxhere me ujë për të gatuar darkë për shtatë fëmijët e saj. Ajo e ushqen zjarrin me copëza kartoni dhe mbeturina, çfarëdo që mund të gjejë për t’i mbajtur flakët ndezur.

Vakti që përgatit është i vogël, sepse këtu në kampin Al-Sadakah, në fshatin Idlib furnizimet janë të pakta.

Ajo është mirënjohëse për ndihmën ushqimore që merr, por edhe kjo nuk mjafton.

“Çdo ditë fëmijët shkojnë në vendgrumbullim për të mbledhur kanaçe alumini, qese najloni dhe hekur. Ata i shesin për një çmim të ulët, mjafton vetëm për të blerë katër pako bukë. Kaq mjafton vetëm për një vakt, mëngjesin tonë”, shprehet Ali.

OKB-ja thotë se numri i sirianëve në nevojë është më i lartë tani se në çdo moment gjatë luftës civile 11-vjeçare, pasi përzierja toksike e viteve të luftimeve, pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë kanë shkatërruar ekonominë e vendit.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) thotë se kostoja e ushqimit është rritur me 800% në vetëm dy vjet.

Në një kompleks turk, vetëm pak kilometra larg kufirit, kamionët janë të ngarkuar me ndihma humanitare.

Mund të jetë çdo gjë, nga ushqimi në strehimore të përkohshme ose ilaçe jetike.

Hakim Froissart është oficer i logjistikës për WFP-në në Turqinë Jugore, një nga njerëzit kyç që i mban gjërat të rrjedhin pa probleme.

“Ne po presim votën, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”, thotë ai.

Agjencitë e ndihmës kanë qenë aq të shqetësuara për mundësinë e mbylljes së kalimit, saqë kanë dërguar dërgesa shtesë për të krijuar një tepricë të vogël në anën tjetër.

I gjithë operacioni ndërkufitar ekziston vetëm për shkak të një mandati të OKB-së, që e lejon atë të ndodhë pa lejen e presidentit sirian Bashar al-Assad, aleatit të Rusisë.

Veri-perëndimi i vendit është jashtë kontrollit të tij, në duart e aleancës xhihadiste Hayat Tahrir al-Sham dhe grupeve rebele të mbështetura nga Turqia.

Regjimi sirian ka lehtësuar vetëm një sasi të vogël të asaj që quhet ndihma ‘ndër-linjë’.

Kjo do të thotë se ajo kalon vijën e frontit brenda një vendi, në vend të kufijve ndërkombëtarë”.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore