Lajme

Vetmitari holandez në Val Pellice: Jetoj vetëm, por e ndërtoj shtëpinë time me honorare në YouTube


Një hapësirë ​​e hapur në një mal të largët në Val Pellice është bërë baza e një ylli të internetit.

Martijn Doolard, një holandez nga Amsterdami, është 39 vjeç dhe ka vendosur të rishpikë jetën e tij në vetmi, në një lartësi prej 1 mijë e 200 metrash në Alpet Piemonteze.

Ai është një Youtuber me mbi 500 mijë ndjekës në mbarë botën.

Për ta gjetur duhet të ngjitesh atje ku Martijn bën jetën e tij të qetë dhe thuajse asketike. Jashtëzakonisht ndihmues dhe mikpritës, ai ka vetëm një kërkesë të vetme: “Thuaj se jemi në Val Pellice”.

Sepse nuk do të donte që shtëpia e tij, tashmë e njohur për shumë përdorues të internetit, të sulmohej nga të huajt.

Doolard është gjithçka, përveçse një i çmendur, zgjedhjet e tij janë të arsyetuara.

“Në Amsterdamin tim isha një dizajner grafik, kisha një jetë të qetë dhe komode. Por pakënaqësia dhe mërzia u rritën brenda meje. Ndjeva nevojën për të evoluar. Kështu mora biçikletën dhe u nisa”, ka treguar ai.

Duke udhëtuar pa qëllim, ai bëri jo një, por dy turne botërore, të treguara në dy libra: “Një vit me biçikletë: Nga Amsterdami në Singapor” (2017) dhe “Dy vjet me biçikletë: Nga Vankuveri në Patagoni” (2020).

“Por në një moment ndjeva një nevojë të re, atë të vendosjes në një vend. Mendova për malet, pasionin tim të madh dhe për Alpet italiane, sepse ato zvicerane janë transformuar shumë nga prania e njeriut”, ka rrëfyer ai.

Kështu Doolard filloi të udhëtonte midis Liguria dhe Piemonte. Më në fund, zgjedhja e Val Pellice.

“Më ka mahnitur natyra e pakontaminuar dhe panorama e mrekullueshme e këtyre vendeve. Nga pikëpamja e materialeve, guri është pjesë e historisë së këtushme dhe po nis nga guri që unë po realizoj projektin tim”, ka thënë ai.

Gjatë eksplorimeve të tij, Martijn identifikoi dy shtëpi të rrënuara dhe të braktisura. Dhe menjëherë vendosi t’i kthente në një lloj ferme.

“Unë fola me autoritetet, gjeta kontaktet dhe bleva tokën për rreth 27 mijë euro. Pastaj fillova punën”.

“Unë nuk jam profesionist, por bazat i mësova në internet”, ka treguar ai për ndërtimin e strehës së tij.

Ai fle në një tendë, ka ngritur një kuzhinë kampi dhe një dush në natyrë dhe rinovon habitatin e tij gjatë ditës.

“Për të rikuperuar materialet, zbres në Luserna me Suzuki Jimny-n tim, së cilës i bashkoj një karrocë. Më pëlqen shumë të kompozoj ndërtesën e re, është si një enigmë, çdo gur duhet të jetë në gjendje të futet në një tjetër”.

Ai ndërtoi një sistem hidraulik dhe një sistem panel diellor për energjinë elektrike. Një vetmitar i kohëve tona, tejet i lidhur me botën.

“Për të motivuar veten dhe për të mbajtur gjurmët e progresit, vendosa të filmoj veten ndërsa punoj. Unë postova videon e parë më 19 tetor 2021. Dhe komuniteti im filloi të rritet gjithnjë e më shumë”.

Të ardhurat nga honorarët e YouTube-it janë të mjaftueshme për të vazhduar projektin.

“Gjatë javës mbledh imazhet, të shtunën i përpunoj dhe prodhoj video rreth 45 minuta, të cilat i publikoj të dielën”.

Çdo pjesë e përmbajtjes arrin dhe tejkalon 200 mijë shikime: “Njerëzit shpesh bëjnë një jetë plot tension. Kur kthehen në shtëpi në mbrëmje, u pëlqen të shikojnë diçka relaksuese”.

Videoja më e shikuar ishte ajo në të cilën ai tregoi se kur një stuhi shkaktoi dëme të mëdha në instalimet e tij: “Nëse zgjidhni të jetoni në mes të natyrës, i merrni parasysh këto gjëra paraprakisht”.

Martijn ka një marrëdhënie shumë të mirë me ata pak njerëz që jetojnë aty pranë, të cilët e ndihmojnë shpesh.

Një herë në javë ai bën pazaret e saj në Angrogna dhe herë pas here viziton Torinon.

“Zona ime e preferuar? Crocetta, për elegancën dhe restorantet japoneze”.

E ardhmja? “Unë nuk mendoj për të, duhet të mbaroj kasollen time”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore