Lajme

Vetëvendosje prish koalicionin me LDK-në në Dragash – Mbetet në opozitë


Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dega në Sharr (Dragash), ka marr vendim që të mos jetë pjesë e qeverisjes lokale me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Ky subjekt politik këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku thuhet se për katër vitet e ardhshme LVV do të mbetet  në opozitë, përkatësisht opozitë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryetarit të Dragashit, Bexhet Xheladini.

“Dega e LDK-së në Sharr nuk e ka seriozisht ndryshimin dhe shenjë për këtë është shkelja mbi parimet e marrëveshjes që mundësoi ndërrimin e qeverisjes në komunë, nuk ka më kuptim që si Lëvizje VETËVENDOSJE! të përfshihemi në një ekzekutiv të tillë komunal”, thuhet në njoftim.

Tutje LVV thotë se që jo se kanë pritur shumë më ndryshe, por “mbështetja jonë, më shumë se sa për fitoren e LDK-së ishte përmbushje e një obligimi ndaj më shumë se 2300 votuesëve të cilët na deleguan përgjegjësi përtej së qëndruarit neutral në periudhën e balotazhit”.

LVV thotë se ka shumë punë për ta arritur ndryshimin e vërtetë në komunën e Dragashit, andaj ky subjekt politik “Në Sharr do të jetë në opozitë përgjatë 4 viteve të ardhshme, duke mbrojtur interesin publik e duke përcjellur me vëmendje secilin hap që do ndjekë qeverisja aktuale”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje në Dragash në zgjedhjet e 17 tetorit të vitit të kaluar nuk kishte arritur të futet në balotazh për raundin e dytë të zgjedhjeve në Dragash, duke mbetur kështu subjekti i tret politik.

LVV me kandidaten e saj për kryetare të komunës, Kaltrina Salihu kishte arritur të marr gjithsej 2 mijë e 375 vota apo 17.34% të votave.

Ndërsa me tetë janar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shkarkuar ish-kandidatin e saj të për kryetar të Komunës së Dragashit, Agron Gashin, për shkak të lidhjes së koalicionit me partinë në pushtet lokal, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Ky subjekt politik këtë e ka bërë të ditur përmes një vendimi të marrë nga Kryesia e degës së AAK-së në Dragash.

Sipas vendimit, Gashi është shkarkua për shkak se i njëjti në kundërshtim me statusin e AAK-së dhe pa konsultim me kryesinë e degës, ka lidhur koalicion me partinë në pushtet, LDK-në.

AAK ka kërkuar nga kryetari i AAK-së në Dragash, Behxhet Xheladini të mos emërojë në asnjë detyrë dhe funksion asnjë anëtar të AAK-së pa konsultim paraprak.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini me 6 mijë e 192 vota ose 51.16 % ka fituar kundrejt kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shaban Shabani i cili arriti të marrë 5 mijë e 912 vota, ose 48.84%, pra 280 vota më pak se fituesi.

Ndryshe, më 25 nëntor, Gjykata Supreme pati vendosur për rivotim të diasporës nga Dragashi.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhej në aktgjykim.

PZAP kishte aprovuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Kjo ishte bërë e ditur pas përfundimit të numërimit të votave me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore