Zgjedhjet në Kosovë

Vetëvendosje me NDS-in në koalicion për Prizrenin


Kryetari aktual i Komunës së Prizrenit, njëherësh edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të kësaj komune, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se ka marrë mbështetjen nga partia NDS nga radhët e komunitetit boshnjak, e cila ka për lidere Emilija Rexhepin.

Në një konferencë, Haskuka ka falënderuar partinë NDS dhe të gjitha partitë tjera, të cilat i kanë dhënë mbështetje atij.

“Angazhimit tonë po i bashkohet edhe një parti tjetër. Sot, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi konfirmoi se do të mbështesë kandidaturën time për kryetar të Komunës”, ka deklaruar Haskuka.

Po ashtu, ai ka thënë se kanë zhvilluar takime me shumë qytetarë, aktivistë të partive tjera, por edhe me drejtues të partive të caktuara.

“Mbetet në vullnetin e tyre kë do ta mbështesin”.

“Ne kemi koalicionin me qytetarët, dhe kjo do të tregohet më datën 14 nëntor”, është shprehur Haskuka.

Tutje, ai thotë se më 14 nëntor, qytetarët do të vendosin me votë se a duan kthim prapa në Prizren apo vazhdim të qeverisjes, duke “harruar” se ai është kryetari aktual në këtë komunë.

Pos kësaj ai ka theksuar se VV-ja e ka derën hapur për të gjithë ata që duan të bashkëpunojnë me këtë subjekt politik.

“Normal për një numër të asamblistëve do të na duhet bashkëpunimi për të siguruar shumicën”, është shprehur Haskuka.

Rikujtojmë se Haskuka në zgjedhjet e 17 tetorit doli i pari në Komunën e Prizrenit me 40.41 për qind të votave.

Ai do të përballet në balotazh me Shaqir Totajn e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili arriti të fitoj 31.36 për qind të votave në raundin e parë.

Përcaktuese për fitoren e Haskukës apo Totajt është mbështetja e Lidhjes Demokratike të Kosovë, Nisma-së, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe KDTP-së.

Prizren-Statistikat në përqindje të votave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore