Kosova

Vetëvendosje kundër buxhetit 2021


“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo qeveri nuk ka legjitimitet të kërkojë votimin e buxhetit në Kuvend”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë sot hapur kundër votimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2021.

Në fjalën e tij në Kuvend, anëtari i kryesisë së LVV-së, Liburn Aliu, e ka quajtur buxhetin “një sharrë e qeverisë së paligjshme e mbështjellur si interes madhor e nacional”.

Ndër të tjera, Aliu theksoi faktin se “buxheti ka shkurtuar fondet për shëndetësinë dhe arsimin”. “Ndërkaq të rritur shfaqen zërat për infrastrukturën”, shtoi ai.

Ka pasur ndërkohë shqetësime nga qeveria se nëse nuk kalon buxheti, rrezikohen rrogat e punonjësve.

“Nëse kërkoni interes nacional, të marrim vendim që të shtyjmë edhe dy muaj shtesë, deri në Mars pagat”, deklaroi Aliu. “Të kalojmë së pari këtë vendim dhe më pas flasim për buxhetin”.

Gjatë gjithë diskursit, Aliu la të qartë të kuptohej qëndrimi i LVV-së, se “ky buxhet nuk është rruga që nxjerr Kosovën nga kriza që e ka përfshirë”.

Ndërkohë në votim, projektligji kaloi leximin e parë me 64 vota pro.

Çështja e kalimit të buxhetit në Kosovë mori peshë të madhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e Kuvendit.

Kushtetuesja rrëzoi qeverinë Hoti duke i lënë vendit vetëm 40 ditë kohë për të zhvilluar zgjedhje të reja.

Por pse është i rëndësishëm kalimi i buxhetit në Kosovë?

I ftuar në RTV Ora, analisti Agon Maliqi ka theksuar se hapi i parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë kalimi i buxhetit 2021 nga Kuvendi i tanishëm.

“Kushtetuesja e ka marrë vendimin por ende nuk është dërguar në fletoren zyrtare. Afati 40 ditor nuk ka filluar ende të vlejë. Ndoshta për t’i dhënë mundësi Kuvendit që të miratojë buxhetin”.

Maliqi ka theksuar se Kosova “është në momentin e vet më të keq ekonomik dhe politik në 20 vitet e fundit”. “Nëse nuk kalohet buxheti, vendi mund të shkojë në krizë ekonomike”, ka përmbyllur ai.

Tashmë pritet leximi i dytë i projektligjit për të parë nëse buxheti i propozuar nga qeveria Hoti do të kalojë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore