Lajme

Veteranët e UÇK-së në protestë për pagën minimale


Imazh nga protesta e Veteranëve të UCK-së më 6 qershor

Ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, veteranët, invalidët, disa prej të cilëve ende mbajnë në trup copëza granatash e plumbash, sot do të protestojnë.

Të mbledhur pranë Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, ata po kërkojnë t’u njihet e drejta për të gëzuar shumën e pagës minimale në Kosovë.

Mos përfshirja e kësaj kategorie në Projektligjin për Pagën Minimale, ata i ka revoltuar shumë duke i bërë të ndihen të diskriminuar.

Nga ora 9:30, ata do të mblidhen para objektit të Kuvendit e Qeverisë për të kërkuar këtë të drejtë të tyre.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën plenare të 14 qershorit, votuan në lexim të parë Ligjin për pagën minimale, i cili la jashtë kategorinë e veteranëve të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Pro këtij projektligji ishin 68 deputetë, përfshirë edhe Listën Serbe, kundër nuk kishte e abstenuan gjashtë. Deputetët që abstenuan ishin nga Grupi multietnik.

Këtë ditë veteranët nuk protestuan, por para se kjo të ndodhte ata u kërkuan që të mos e votojnë.

Veteranët protestuan para 10 dite, më gjashtë qershor. Dhe kjo protestë nuk kaloi krejt pa incidente.

“Na detyruat të dalim në rrugë”, u ishte drejtuar institucioneve të vendit, ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Organizatës së veteranëve të Luftës së UCK-së, Fatmir Klinaku.

“Fatkeqësisht duhet të protestojmë për të mbrojtur vlerën që na solli deri këtu. Neve na duhet të protestojmë, sepse na mohohet lufta që e bëmë, na shkelen të drejtat”, kishte vazhduar ai.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore