Lajme

Veteranët e UÇK-së në pritje të fjalimit të Ramës: Të lumtur që shpaloset e vërteta, dhimbje që Kosova s’po i ndihmon Shqipërisë


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, pret që anëtarët e Këshillit të Evropës “të reflektojnë” këtë të mërkure, në ditën kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pritet të adresojë përpara anëtarëve të Këshillit të Evropës, rezolutën shqiptare kundër raportit të Dick Marty-t me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”.

Për më tepër Klinaku ka bindje që kjo është nisja e “zhbërjes së Speciales”.

“Presim që të reflektojnë anëtarët e Këshillit Evropës që ta bëjnë një rezolutë tjetër për të hedhur poshtë raportin e Dick Marty-t në bazë të të cilit është krijuar Gjykata Speciale”, thekson Klinaku.

Ai rithekson se “raporti i Marty-it është krijuar mbi bazë të shpifjeve të Rusisë dhe Serbisë”.

“Kosova dhe Shqipëria e kanë problem të bëjnë tani transplantim të organeve, e lëre në vitin 1999 që ka qenë luftë dhe kemi pas problem që t’i trajtojmë edhe të plagosurit”, pohon Klinaku për AP.

Por, ai ka kritikuar institucionet e Kosovës, pasi ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ka treguar se nuk ka asnjë bashkërendim pune sa i përket rezolutës së miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë.

“Turpi ma i madh i shtetit të Kosovës është që vetë e ka krijuar gjykatën dhe nuk merret me asgjë që ta ndihmojë Shqipërisë që ta hedhin poshtë Gjykatën Speciale”, ka shtuar Klinaku.

Ndryshe, më 12 dhjetor 2010, Dick Marty, prezantoi para Këshillit të Evropës, një raport që akuzonte krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh të qenieve njerëzore. Të njëjtin raport, Asambleja e Përgjithshme e KiE e miratoi si rezolutë.

Përkundër se raporti i pabazuar, përkundër se pas hetimeve s’rezultoi asgjë e vërtetë dhe përkundër se aktakuza në Gjykatën Speciale s’përfshinë gjë që ka të bëjë me trafikim organesh, rezoluta e KiE-së ka mbetur ashtu si u miratua në vitin 2011.

Autoritetet shqiptare dorëzuan më 12 gusht pranë institucionit evropian rezolutën e kaluar më herët në parlament.

Fjalimi i Ramës është parashikuar të jetë 60 minuta.

Council of Europe - Strasbourg | Visit Alsace

Çfarë kërkon Shqipëria?

Sipas kërkesës së delegacionit shqiptar pranë organit të lartë evropian, do të kërkohet të përgatitet një raport i ri, për të zhbërë efektet e atij të Dick Marty-t.

Ky i fundit, është premisë direkte edhe e ngjizjes së Gjykatës Speciale, e cila ka çuar për gjykim në Hagë ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së.

Në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.

Për rrjedhojë, ato duhet të cilësohen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Për këtë qëllim propozojmë këtë ‘Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’”, vijohet më tej.

Këshillit të Evropës, ndër të tjera, i kërkohet të distancohet nga akuzat e paprovuara nga hetimet ndërkombëtare sepse 11 vite pas hartimit të raportit, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij nuk është vërtetuar.

Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

Në projektrezolutë përsëritet thirrja për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Gjykata Speciale, Hagë

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore