Shqipëria

Vetëm Sali Berisha dhe Ibsen Elezi në garën për PD-në


Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, në përfundim të afatit, ka njoftuar dy kandidaturat për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Kundër ish-liderit të PD-së, Sali Berisha do të jetë Ibsen Elezi.

Elezi, më parë ka mbajtur postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Kukës.

Berisha, pas zyrtarizimit të kandidaturës e tij për kryetar të PD-së deklaroi se “kandidoj si dëshmi e respektit, e dashurisë, e pasionit tim për të ndryshuar për mirë jetën e tyre”.

I pyetur nëse “mund” të garojë i vetëm për kreun e PD-së, ai tha se kjo do të zgjidhet me referendum më 22 maj.

“Do të jem një lider referendar. Nuk jam Edi Rama, që të shpik rivalë. Nëse zgjidhem me referendum, nëse nuk zgjidhem i nënshtrohem verdiktit të tyre referendar”, u përgjigj Berisha.

Ndërsa, gjatë një interviste pas depozitimit të dokumenteve për të kandiduar për kryetar i PD-së , Elezi, u shpreh se nuk futet në garë për të fituar, por që të paraqesë pikëpamjet e tij për PD-në.

“Përballja me Berishën është shumë e vështirë. Por nuk bëhet vetëm për faktin për të fituar, por të paraqesësh pikëpamjet e tua dhe të paraqesësh një frymë në PD. Jam për ato që kërkojnë një alternativë jashtë Bashës dhe Berishës. Unë nuk bindem, unë reagoj”, shtoi ai.

Zgjedhjet brenda Partisë Demokratike do të mbahen më 22 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore