Lajme

Vetëm një orë video-lojëra


Kjo është nisma më e fundit e autoriteteve kineze, për lojtarët online nën moshën 18 vjeç.

Sipas rregullatorit kinez të video-lojërave, fëmijët dhe adoleshentët mund të luajnë një orë gjatë së premtes, fundjavave dhe festave.

Administrata Kombëtare e Shtypit dhe Publikimit i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua se lojërat do të lejoheshin vetëm nga ora 20:00 deri në 21:00 e mbrëmjes.

Në fillim të këtij muaji një media shtetërore i quajti lojërat online “opium shpirtëror”.

Rregullatori garantoi se do të rriten inspektimet e kompanive të lojërave në internet për të kontrolluar nëse afatet kohore po zbatohen.

Rregullat e mëparshme e kishin kufizuar lojën online të fëmijëve në 90 minuta në ditë, duke u rritur në tre orë gjatë pushimeve.

Masa pasqyron një shqetësim të gjatë për ndikimin e lojërave të tepërta tek të rinjtë.

Një muaj para kufizimeve të fundit, një artikull i botuar nga Economy Daily pretendonte se shumë adoleshentë ishin bërë të varur nga lojërat online dhe po ndikonte negativisht tek ata.

Kjo ka sjellë një rënie të konsiderueshme të vlerës së aksioneve të disa prej firmave më të mëdha të lojërave online në Kinë.

Autoritetet kineze kanë qenë prej kohësh të shqetësuar për varësinë nga lojërat dhe aktivitetet e tjera të dëmshme në internet midis të rinjve.

“Pekini duket se shfaq një skepticizëm në rritje mbi zgjerimin e kapitalit dhe teknologjisë, si dhe ndikimin e tij potencialisht negativ në mirëqenien e brezit të ri të vendit”, shkruan BBC në artikullin e saj.

Duke imponuar këto rregulla të reja, qeveria kineze shpreson të krijojë “energji pozitive” tek të rinjtë dhe t’i edukojë ata me ato që Pekini i konsideron “vlera të sakta”.

Disa prindër kanë kritikuar në rrjetet sociale të Kinës “Weibo” ndërhyrjen e qeverisë si “të paarsyeshme” dhe “arbitrare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore