Shqipëria

Vetëm apo me Metën – Si garon Berisha në lokalet e 6 marsit?


Faktin se me grupin e tij të vetëquajtur të Rithemelimit, do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në gjashtë bashki të vendit, ai nuk e ka fshehur. Por, mënyrën se si do ta bëjë këtë gjë, nuk e ka zbuluar ende.

Fraksioni i Sali Berishës brenda Partisë Demokratike, mund të jetë dhimbja e kokës e radhës për Lulzim Bashën, nëse vendos realisht ta çojë deri në fund nismën.

Mirëpo, me gjithë institucionet, që ende njohin atë të Bashës si PD zyrtare, cilat mund të jenë rrugët e Berishës për në kutitë e votimit?

Sali Berisha

Ajo e para – më pak e mundshmja – është që Berisha të krijojë një forcë të re politike.

Pra, ta regjistrojë atë në Gjykatë, ta regjistrojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të futet si parti më vete, në garë për pushtetin vendor.

Mirëpo, afatet janë jo favorizuese në këtë aspekt. Regjistrimet kërkojnë kohë juridike, gjë të cilën Berisha nuk e ka.

Një mënyrë tjetër, është edhe ajo e garimit me kandidatë të pavarur, por të mbështetur nga grupimi. Kjo lëvizje mund të jetë e mundshme, por e ndëshkon veten, sepse nuk ka një sigël zyrtare për kandidatët.

Pra, PD-në e përfaqëson ende Basha me të tijtë.

Siç ka thënë madje dhe më herët vetë Basha, Berisha s’ka si të garojë me kandidatë të tij, kur nuk e ka PD-në.

Por, një mënyrë tjetër, po merr edhe më shumë zë ditët e fundit, pas shpalljes së datës zyrtare nga presidenti Ilir Meta.

Me këtë të fundit gati për rikthim në sferën politike aktive, Berisha i ka marrëdhëniet mirë.

Dy fjalë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, Meta do t’i kishte nëse nuk do të mbante karrigen presidenciale.

Të dy me njëri-tjetrin, nuk e kanë fshehur simpatinë që në bashkëqeverisjen e 2009-ës, e më pas edhe me “qetësinë e dashurinë” parlamentare gjatë mandatit të parë të Edi Ramës.

Por, nëse do të kërkohej një realizim i tillë, Berisha do të duhej që kandidatët e tij t’i fuste në siglën e LSI-së ose në një koalicioni të përbashkët.

Gjë kjo, e cila nuk është e përjashtuar.

Arben Ristani, anëtar i Komisionit të Rithemelimit, ka thënë se ka bisedime reale për një koalicion të djathtë të gjerë opozitar.

Nga “të djathtët” nuk është përjashtuar as LSI-ja, e cila si parti e qendrës, boshtin e gjen ku i volit.

Por, një përgjigje konkrete, ai nuk e ka sesi do të zhvillohet.

Një përgjigje që, nga ana tjetër, duket se e ka analisti Lorenc Vangjeli, i cili thotë se jo vetëm që Berisha ka kontakte me Metën dhe po ashtu edhe grupimi i tij me LSI-në, por kjo çështje, mund të jetë tashmë e mbyllur, për të qenë bashkë në zgjedhje.

Ndërsa Meta nuk mund të jetë në terren – të paktën edhe për këtë 6 mars – Berisha i ka forcat të mobilizuara për të zhvilluar garë.

Se vetëm, apo me LSI-në që po pret zbritjen e Metës nga Presidenca, ende nuk ka konfirmim!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore