Vende

Vetëm apo me guidë, si “pushtohen” malet shqiptare


Pamja e Majës së Murgës, © Fation Plaku

“Jo të pakta kanë qenë rastet kur turistë të huaj kanë humbur gjatë ekspeditave të ndryshme shqiptare. Për te shmangur këto raste – sado të rralla qofshin ato – bëhet identifikimi i shtigjeve malore duke vazhduar me etiketimin dhe vendosjen e tabelave në vendet më kryesore”.

Drilona Beci, një vajzë e cila ka pasion zbulimin e terreneve të tilla me karakter malor, ka këtë mendim mbi vështirësitë e të orientuarit në rrugëtime të përshtatura për hiking.

Për Albanian Post, ajo jep shembullin se si mënyra më e mirë për të identifikuar shtigjet është, “vendosja e shenjave standarde nëpër gurët përgjatë rrugës”. Mbi të gjitha, për turistë me eksperiencë, të cilët preferojnë të eksplorojnë natyrën pa një guidë alpine.

Ka pasur raste të rralla që turistë të huaj kanë humbur rrugën përgjatë shtigjeve malore në Shqipëri. Por, ka pasur edhe incidente të rënda me pasojë jetën, për shkak edhe të mungesës së sinjalistikave.

Rasti i fundit, ishte më 4 qershor, kur dy shtetas të huaj kishin shkuar për turizëm malor në Valbonë.

Ata po kryenin një udhëtim turistik në zonën nga Rragimi në Qafë-Valbonë për të shkuar në pikën tjetër turistike të Thethit.

Shpesh herë, turistë të huaj preferojnë që të eksplorojnë vendin pa një drejtues udhe.

Por, sipas Becit, kjo është e vështirë, pasi jo të gjithë e njohin terrenin se si është.

Sipas saj është shumë e rëndësishme “ideja e një guide, i cili i shoqëron turistët ose mund të përpunojë një hartë të shtigjeve malore për vizitë”.

Si rrjedhojë, tregon Drilona, “sinjalistika përgjithësisht është një problem në vetvete”. Kjo, pasi “jo të gjithë janë aq korrekt dhe jo çdo shteg është i sinjalizuar”.

Pavarësisht kësaj, ajo shton se vitet e fundit kjo anë e turizmit ka pasur përmirësime.

Një ndër eksperiencat e fundit të saj, ka qenë ajo në Majën e Murgës, Buzhalë, Pukë, 600 metra mbi nivelin e detit, ku shikohet liqeni i Komanit.

Maja e Murgës, Drilona Beci
Maja e Murgës, Drilona Beci 

Beci bëri me dije se drejtuesi i guidës e bëri më të lehtë ngjitjen në majën e malit, mbi të gjitha duke parë nivelin e vështirësisë se rrezikshmërisë së rrugëtimit.

“Përveç se të ndihmon me rrugën, e rëndësishme është edhe të mësosh për historinë e vendit”, theksoi ajo. Mënyra më e mirë, është që të jetë përherë një drejtues guide me vete”.

Deri më 1 prill 2021, kjo pikë turistike është vizituar nga 500 turistë nga Shqipëria dhe Kosova. Mijëra të tjerë vizitojnë shtigje sfiduese të shpërndara në Shqipëri. Për këtë fakt, plotësimi i tyre me sinjalistika, mbetet prioritet i lehtësimit të turizmit malor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore