Lajme

Veshët e shurdhët të Jinping ndaj Biden-it


Më 10 shtator 2021, Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, do të kishte një telefonatë rreth 90-minutëshe me homologun e tij kinez, Xi Jinping, ku në qendër të vëmendjes së bisedës së parë në shtatë muajt e fundit midis dy liderëve botërore, do të ishin fushat e bashkëpunimit Washington-Pekin.

Mirëpo, vetëm katër ditë më pas, ajo bisedë e Biden, ka rënë në veshët e shurdhët të Jinping.

Në zbardhjet e çështjeve të telefonatës, ishte edhe propozimi për samit nga ana e Biden. Sipas zërave brenda Shtëpisë së Bardhë, ajo do të përqendrohej tek shkrirja e akujve mes dy shteteve. Kjo, në përpjekje për të riafruar dy qeveritë.

Mirëpo, po sipas zërave brenda Shtëpisë së Bardhë, Jinping as që e ka çuar nëpër mend ta pranojë propozimin e Biden.

Joe Biden, asokohe zëvendëspresident i SHBA-ve dhe Xi Jinping, President i Kinës, dhjetor 2013

Zyrtarët amerikanë e portretizuan këtë telefonatë si mundësi për të testuar nëse Jinping do të merrte seriozisht raportet diplomatike midis dy vendeve.

Në takimet e fundit diplomatike – jo të pakta – pak progres është arritur midis dy vendeve.

Qasja e Jinping-ut, pavarësisht avancimit të dobët të bisedimeve, duket jo e shqetësuar. Kritikat e ashpra të Biden-it, aq më pak shqetësuese.

Presidenti kinez, justifikimin për një takim të mundshëm, e ka gjetur tek frika nga COVID-19. Kjo, edhe si një formë kundërakuze, për akuzat e shpeshta amerikane, se fajtor për përhapjen e pandemisë, janë kinezët.

Ndërsa Biden vijon përpjekjet, Jinping mbetet i shurdhët ndaj retorikës së kryeamerikanit. Ndërsa çështjet që më së shumti e shqetësojnë kryekinezin, janë ato në politikat e jashtme karshi Koresë së Veriut, Myanmarit dhe së fundmi, Afganistanit.

Çfarë ndodhi konkretisht më 10 shtator?

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka zhvilluar, për të dytën herë që prej ardhjes së tij në Shtëpinë e Bardhë dhe për të parën herë në shtatë muaj, një telefonatë me homologun e tij kinez, Xi Jinping.

Objekt kryesor i bisedës ka qenë fakti se, rivaliteti midis dy shteteve, nuk duhet të kthehet në konflikt.

Kohët e fundit, tensionet janë rritur midis dy vendeve, mbi të gjitha për çështje, si: tregtia, pandemia dhe spiunazhi.

Në një deklaratë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, theksohet se diskutimi ka qenë në rrafshin strategjik. Zonat e përbashkëta të interesit kanë përbërë objekt bisede.

Xi Jinping, Joe Biden dhe bashkëshortet e tyre, shtator 2015

Nga ana e kinezëve, është bërë me dije se telefonata ka qenë miqësore dhe janë cekur shqetësimet e përbashkëta të Washington-it dhe Pekinit.

Vetë Jinping ka thënë se “është kritike për të ardhmen, nëse Kina dhe SHBA-të arrijnë të mbajnë marrëdhëniet”.

Kjo telefonatë është kërkuar nga Biden. Ky i fundit mendon se bisedimet në nivele të ulëta zyrtarësh nuk janë aty ku duhet. Ndaj, ato duhet të shtrihen më gjerë në nivele më të larta e deri te presidentët.

Më herët, këtë vit, në bisedimet e dy administratave ka pasur tensione të vazhdueshme. Batutat thumbuese nuk kanë munguar nga zyrtarë të të dy palëve.

Ajo kryesore nga ana e kinezëve ishte ideja që SHBA-të po u injektonin vendeve të tjera, për të “sulmuar kinën”.

Ndërsa amerikanët, shpesh i kanë akuzuar kinezët për ndërhyrje kibernetike.

Afganistani është “mosmarrëveshja e fundit” në spektrin SHBA-Kinë. Tërheqja e trupave ushtarake amerikane pas 20 vjetësh ka sjellë tollovi, sipas Pekinit.

SHBA-të mbeten të palëkundur në vendimin e marrë, duke e cilësuar si të drejtë.

Pavarësisht gjithçkaje, fërkimet midis dy superfuqive duket se janë të pashmangshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore