Stil

Vesa Luma: “Ne nuk e meritojmë as Duan as Dukagjin Lipën as një festival si Sunny Hill”


Vesa Luma

Këngëtarja, Vesa Luma, ka reaguar pas zhvendosjes së festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social ‘Instagram’, ka thënë se Dua Lipa “e meriton me ia falë tokën për shkak të promovimit që i ka bërë Kosovës”.

“Dua është thesar! Në vend se me ja falë tokën (dhe jo vetëm aq) për vendin që aq shumë e ka promovuar..i mohohet! Ne nuk e meritojmë as Duan as Dukagjin Lipën as një festival si Sunny Hill”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, Shqipëria gjithnjë i ka mirëpritur e çmuar artistët, për dallim nga Kosova ku “janë marrë me inate personale”.

“Për Tiranën mund të thoni çfarë të doni tani, bingo për rastin, edhe e ka hallall Shqipëria gjithmonë ka ditur t’i vlerësoj artistët dhe i ka pranuar me zemër të hapur, përderisa në Kosovë janë marrë paraprakisht me inate personale. Dorën në zemër”, vazhdoi më tej ajo.

Festivali “Sunny Hill”, për herë të parë është mbajtur në vitin 2016, duke vazhduar për katër vjet radhazi.

Në katër edicionet e tij, festivali ishte zhvilluar me lokacion në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, me një kapacitet prej 20 mijë pjesëmarrësish.

Por, gjërat kanë ndryshuar sepse tash, “Sunny Hill”, do të organizohet në një lokacion të ri, në kryeqytetin shqiptar.

Kjo, sipas organizatorëve, për shkak të zvarritjes së përgjigjes nga Ministria e Administrimit Publik për dhënien e pronës.

“Sunny Hill” do të mbahet në datat që ishin paraparë në Kosovë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022. Dhe për të gjithë qytetarët, të cilët nuk do të kenë mundësinë të shkojnë në Tiranë, bileta do t’u kthehet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore