Sport

Verstappen ka pikët, Hamilton ka makinën më të mirë – dy gara deri në fund të sezonit


Lufta më e çmendur për titull në dekadën e fundit të Formula 1, do të vendoset në dy garat e fundit që do të zhvillohen në lindjen e mesme.

Max Verstappen i RedBull-it udhëheq me tetë pikë më shumë se Lewis Hamilton i Mercedes-it.

Garat në Arabinë Saudite dhe në Abu Dhabi do të mbyllin sezonin, të dyja këto pista që sjellin shumë të panjohura për skuadrat.

Verstappen ka avantazhin – në pikë, dhe ai mund të shpallet kampion nëse gjërat shkojnë në favorin e tij në Jeddah.

Por Hamilton ka momentin, ai po i drejtohet garave të fundit pas dy fitoreve bindëse dhe me performancën e makinës që është në favor të makinës së tij.

Shumë gjëra janë në linjë. Nëse Verstappen fiton, do të jetë fillimi i një epoke të ri – titulli i tij i parë, konfirmimi final i statusit se ai është lideri i gjeneratës së re të Formula 1, dhe fundi i një dominance shtatë-vjeçare të Mercedes-it.

Nëse Hamilton fiton, ai do të vendos një rekord historik për më së shumti tituj kampion në histori të Formula, duke parakaluar përfundimisht Michael Schumacher.

Hamilton është piloti më i suksesshëm në histori të F1, me më shumë fitore dhe pole-position se çdo pilot tjetër – një titull tjetër do e shihte atë të parin në çdo gjë që lidhet me Formula 1.

Situata me pikët:

Verstappen mund ta fitojë titullin të dielën nëse:

-Ai fiton me xhiron më të shpejtë, dhe Hamilton përfundon më poshtë se i pesti

-Ai fiton, dhe Hamilton përfundon më poshtë se i gjashti

-Ai përfundon i dyti me xhiron më të shpejtë, dhe Hamilton përfundon më poshtë se i nënti

-Ai përfundon i dyti, dhe Hamilton përfundon jashtë pikëve

Për qëllime praktike, është më thjeshtë se aq. Në një garë normale, pa aksidente, momente të dyshimta ose probleme për pilotët, dy pretendentët për titullin me shumë mundësi do të përfundojnë në vendin e parë dhe të dytë.

Ata janë më të shpejtë se shokët e skuadrës, të cilët do të funksionojnë në bazë të urdhërave të skuadrës.

Në këtë kontekst, është shumë e thjesht.

Nëse Verstappen e mposht Hamilton-in në Arabinë Saudite, ai me shumë mundësi do ta përfundoj sezonin si kampion bote.

Një fitore e Verstappen, me Hamilton-in që përfundon në vendin e dytë, do të qonte epërsinë në 14, 15 ose 16 pikë, në bazë të xhiros së shpejtë. Me këtë diferencë, Hamilton do duhej të shpresonte në një gabim të Verstappen në Abu Dhabi që të bëhet kampion.

Por, nëse Hamilton fiton, diferenca do të ngushtohej në vetëm dy, një ose zero pikë, në varësi të xhiros së shpejtë.

Dhe kjo ka një kuptim: Fituesi merr gjithçka në Abu Dhabi.

Kush është më i shpejtë për momentin?

Ka një trend të qartë të performancës – dhe ajo e favorizon Mercedes-in.

Duke analizuar shpejtësinë e makinave në pjesën e parë të sezonit, RedBull-i ishte me 0.014 sekonda më i shpejtë.

Por në pjesën e dytë të sezonit, gjërat kanë ndryshuar në favor të Mercedes-it. Diferenca mesatare e Mercedes-it në prova zyrtare është rreth 0.248 sekonda.

Mirëpo, shpejtësia në prova nuk tregon gjithmonë se kush do të fitojë garën. Dhe në këtë rast, është shumë e vështirë të parashikohet se cila skuadër do të jetë më e shpejt në Abu Dhabi.

Në letër, të dy skuadrat presin që Mercedes të jetë më e shpejtë. Ata janë më të shpejtë në vija të drejta, dhe të dy pistat njihen si të përshtatshme për stilin e Mercedes.

Por ky sezonin shpesh herë ka ditur që të thejë trendin. Përshembull çmimi i madh i Amerikës gjatë muajit të kaluar.

Që nga viti 2012, Austin ishte një ndër pistat më të favorshme për Hamilton, mirëpo gjithçka ndryshojë këtë herë me Verstappen që dominoi dhe fitoi garën.

Hamilton thotë që është e pamundur të parashikohet se cila skuadër do jetë favorite.

“Nuk shoh asnjë lidhje”, thotë ai, “Është normale. Do të thoja që inxhinierët kanë më shumë informata, por personalisht besoj që nuk mund të parashikohet”.

“Dhe ka shumë elemente të ndryshme pse nuk mund të parashikohet: Kthesa të ndryshme, sipërfaqe e ndryshme e pistës, temperatura të ndryshme, temperatura të pistës: Ishte e çmendur”.

RedBull në anën tjetër janë të shqetësuar për Arabinë Saudite, në veçanti. Kjo pistë e re ka një numër të madh të sektoreve shumë të shpejta dhe jo shumë kthesa ku RedBull është më e mirë.

Kjo është në favor të Mercedesit dhe poashtu Hamilton do të përdorë vetëm për herë të dytë motorin që e kishte edhe në garën e Brazilit, ku ai fitoi duke u nisur nga vendi i fundit.

Por përsëri nuk është aq e thjeshtë. A do të jetë Mercedes-i më i shpejtë në vijë të drejtë? Po. A do të thotë që Mercedes-i do ketë xhiron më të shpejtë? Jo domosdoshmërisht.

Pikëpyetje ka edhe mbi Abu Dhabi-n poashtu.

Mirëpo, ndryshe nga Jeddah, është një pistë e njohur që organizon gara që nga viti 2009. Mirëpo kjo pistë ka ndryshuar shumë këtë vit për të lënë prapa reputacionin që ka si “pistë e tmerrshme”.

Praktikisht, është një garë e re që kërkon një mënyrë ndryshe të garimit.

Politikat dhe skuadrat

Ka një hije që është ngritur në dy garat e fundit – që është protesta nga RedBull-i në drejtim të Mercedesit.

Dy garat e fundit, RedBull i ka kaluar duke u ankuar për pjesën e pasme të makinës Mercedes, duke thënë që del në kundërshtim me rregullat.

Ata besojnë se pjesa kryesore e bishtit të makinës shkon prapa, duke rritur shpejtësinë në vijë të drejtë.

Christian Hornen ka folur publikisht për këtë gjë.

“Nuk është normale, kjo shpejtësi nuk është normale” ka thën ai.

Verstappen ka thënë që RedBull-i ka evidencë se bishti i tyre lëviz në mënyrë ilegale. Ka foto dhe video të ndryshme në internet që mundohen të portretizojnë se për çfarë bëhet fjalë.

Mercedes në anën tjetër ka kundërshtuar ankesat e Horner, duke thënë se ai po sheh “fantazma”.

“Kemi problem të përballemi me komentet dhe spekulimet që bëhen nga ana tjetër”, tha Toto Wolff, shefi i Mercedes.

Përballë pistës së panjohur të Jeddah, lufta vazhdon në pistë dhe jashtë saj, mes Verstappen dhe Hamilton, Horner dhe Wolff, RedBull dhe Mercedes – një kampionat do vendoset, por cili do jetë fundi është shumë e vështirë të parashikohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore