Sport

Veretout dhe Pedro katapultojnë Roma-n në vendin e tretë


Roma ka fituar me rezultatin e pastër 3-0, ndeshjen përballë Udinese-s, për javën e 22 të Serisë A. Dy golat e Jordan Veretout dhe një i Pedro Rodriguez-it i dhanë fitoren në shtëpi verdhekuqëve.

Ndeshja nisi shumë mirë për të zotët e shtëpisë. Në minutën e pestë të pjesës së parë, Veretout-i shëndroi në gol një asist të Gianluca Mancini-t. 20 minuta më vonë, po përsëri francezi dyfishon rezultatin me anë të një 11m.

Në minutën e 30, Lorenzo Pellegrini shënon për 3-0, por goli anulohet nga VAR. Pjesa e parë nuk pati ngjarje të tjera dhe përfundoi me rezultatin 2-0.

Goli i tretë për të zotët e shtëpisë do të vinte në fundin e takimit. Në 90+3’ Pedro shënon golin e parë personal dhe të tretin për ekipin, pas një asisti nga Edin Dzeko-s.

Me ketë fitore, Roma ngjitet në vendin e tretë të Serisë A, me 43 pikë. Gjashtë pikë më pak se Milan-i i vendit të parë dhe katër më pak se Inter-i i vendit të dytë, por që këta të fundit kanë një ndeshje më pak.

Udinese mbetet në vendin e 14 të renditjes me 24 pikë, po aq sa kanë edhe Bologna me Spezia-n që janë më sipër në renditje, si dhe Benevento që është në vendin e 15.

Lojtari më i vlerësuar i ndeshjes sipas Sofascore-s ishte Veretout. Mesfushori i Roma-s u vlerësua me notën 8.1 dhe pas tij vijnë Mancini me 7.8 dhe Henrikh Mkhitaryan-i me 7.6. Tek Udinese, më të vlerësuarit ishin Bram Nuytinck-u me 7.4 dhe Samir me 7.

Më të dobëtit në fushë, për Roma-n ishin Borja Mayoral me 6.4 dhe Pellegrini me 6.2. Tek Udinese dhe nga të gjithë lojtarët në fushë, më i dobëti ishte portieri Juan Muso, i vlerësuar me notën 5.7.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore