Aplikacione

Verbling, mësimi i gjuhës me video


Aplikacioni i quajtur Verbling ofron mësimin e një gjuhe të re nëpërmjet të folurës duke u lidhur me folësit amtarë të pesëdhjetë gjuhëve të ndryshme përmes bisedës video.

“Biseda e integruar Verbling Video ju lidh direkt me mësuesin pa përdorur aplikacione apo mjete të jashtme. Thjesht identifikohuni në aplikacion nga telefoni dhe jeni të lidhur”, shprehet Verbling.

Për projektuesit e aplikacionit, një nga elementët kyç të mësimit të një gjuhe të re është dëgjimi. Verbling ndihmon në zhvillimin e aftësive të dëgjimit duke lejuar që përdoruesit e aplikacionit të njohin dallimet kryesore të gjuhës si në shqiptim edhe në strukturën gramatikore të fjalisë.

Veçantia e aplikacionit qëndron në faktin se gjuha mësohet përmes komunikimit me mësues profesionist. Pavarësisht nga niveli gjuhësor që përdoruesi posedon, nivel bazik apo mesatar, Verbling ofron më shumë se 7 mijë e 500 mësues të cilët janë në gatishmëri për të mundësuar dijet e nevojshme.

Verbling tregon se mësuesit “jo vetëm që do mësojnë gjuhën siç flitet nga folësit amtarë, por do të ofrojnë njohuri kulturore që ndihmojnë në përparimin e aftësisë drejt një niveli më të lartë”.

Përpos njohurive, aplikacioni jep mundësinë e reagimeve të menjëhershme dhe të personalizuara lidhur me aftësitë gjuhësore të përftuara./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore