Lajme

Vera po vjen me presion të hatashëm – Perëndimi s’e toleron një dështim tjetër


Ilustrim/Albanian Post

Kosova dhe Serbia do të përballen me “presion të hatashëm” nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një qasje krejt ndryshe – në mënyrë që Marrëveshja e Brukselit/Ohrit të gjejë zbatueshmëri të plotë deri në fund të verës, thonë njohësit e çështjeve politike për Albanian Post.

Ishte Emisari Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili së fundi përveç që vlerësoi se “asnjëra palë nuk është duke e zbatuar marrëveshjen”, pohoi se “nuk sheh asnjë arsye” që zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit të mos realizohet “deri në fund të verës”.

Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, në një prononcim për Albanian Post, tha se tashmë është bërë gjë e zakonshme që dinamizimi i zhvillimeve në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja të varet ekskluzivisht nga shkallët e presioneve prej akterëve kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare.

E ndërsa ndikimi i presionit ndërkombëtar është i rëndësishëm në këtë proces, aspekti tjetër që do e definojë “suksesin” e normalizimit është që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të marrin përgjegjësi dhe të angazhohen maksimalisht në dialog.

Presionet e mëdha publike amerikane dhe evropiane, shtoi Muhaxhiri, dëshmojnë mungesën e vullnetit dhe përkushtimit real e aktiv të liderëve politikë kosovarë dhe serbë ndaj këtij “projekti madhor”, të cilëve tashmë iu ka arritur fatura politike për refuzimet apo mosofrimin e alternativave.

“Ata kanë qasje pasive: idetë fundamentale, orientimet strategjike dhe oraret implementuese i presin të vijnë nga diplomacia amerikane e evropiane, kurse pastaj i aplikojnë diskurset populiste për t’i mjegulluar realizimet dhe kompromiset para shoqërive respektive”, tha Muhaxhiri.

Nga një këndvështrim tjetër, sipas tij, taktika e vonesave “të shpeshta dhe të planifikuara” në faza të ndryshme drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare mund të shërbejë si alibi për liderët në Prishtinë dhe Beograd deri kur të vijë koha për kompromise të detyruara nga fuqitë perëndimore.

Madje, ai nënvizoi se administratat aktuale në Bruksel dhe Uashington tash po synojnë t’i “kapitalizojnë investimet e tyre” në dialogun Kosovë-Serbi para sfidave zgjedhore, prandaj në vjeshtë domosdoshmërisht duhet të kenë rezultate të prekshme, me dobishmëri efektive elektorale.

Duke e parë trendin dhe zhvillimet aktuale, vlerësoi Muhaxhiri, në dy-tre muajt e ardhshëm pritet që “presionet drejt Kosovës dhe Serbisë të jenë të hatashme”, ngase evropianët dhe amerikanët s’do të lejojnë t’iu atribuohet edhe një dështim tjetër sikurse me Marrëveshjen e Parë të vitit 2013/2015.

“Ohri 1.0 nuk do të lejohet të shndërrohet në Bruksel 2.0. Qasja amerikano-evropiane do të jetë e superpushtetshme, precize dhe kontekstuale. Shpërblimet për avancuesit dhe stigmatizimet për stagnuesit do të jenë shumënivelore dhe ardhmërindikuese”, konsideroi Muhaxhiri.

Letra ekskluzive e diplomatit ndërkombëtar: Nëse Kosova nuk e propozon vetë Statutin e Asociacionit, ndërmjetësit mund të kërkojnë zgjidhje jashtë Kushtetutës

Edhe profesori i Shkencës Politike, Dritëro Arifi, tha se top-diplomati amerikan “fundin e verës” e ka dhënë si “afat optimal” sepse edhe me marrëveshjen e fundit parashihet që gjithçka të konkludohet brenda 150 ditëve, kur edhe do të organizohet Konferenca e Donatorëve të BE-së.

Kosova dhe Serbia veçse kanë filluar ta akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e pikave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. BE-ja dhe SHBA-ja deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë rrugën për t’i bindur palët që ta kuptojnë marrëveshjen si obligim ndërkombëtar dhe ta zbatojnë atë.

Por, moszbatimi është i dyanshëm, deklaroi Këshilltari i Lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, teksa po raportonte para Senatit Amerikan. Për këtë arsye, pohoi Chollet, “ne jemi të angazhuar në mënyrë që t’i shtyjmë të dyja palët që ta zbatojnë marrëveshjen”.

Arifi megjithatë vlerësoi për Albanian Post se pala kosovare nuk është se s’po e zbaton marrëveshjen, por ka mbetur vetëm që ta definojë formën përfundimtare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia ka shumë më shumë obligime dhe ende s’i ka zbatuar asnjërën prej tyre.

“Kërcënimet politike do të jenë mënyra e fundit”, paralajmëroi ai. “Të dyja vendet – elita politike në Kosovë dhe Serbi – detyrohen të bashkëpunojnë me BE-në dhe SHBA-të sepse ata mund të gjejnë partnerë alternativë që t’i zbatojnë marrëveshjet”.

Diplomatët evropiano-amerikanë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore