Shqipëria

Veprime të dhunshme gjatë derbit të kryeqytetit, policia arreston katër persona


Policia e Shtetit ka njoftuar se, gjatë kësaj të premte të 24 dhjetorit, ka vënë nën pranga katër shtetas, si dhe një i pestë është proceduar penalisht.

Të gjithë personat ushtruan veprime të dhunshme gjatë derbit të kryeqytetit, mes Partizanit dhe Tiranës, të luajtur mbrëmjen e 23 dhjetorit në stadiumin “Air Albania”. Ndeshje të cilën bardheblutë e fituan me rezultatin 2-1.

Shkeljet kryesore, që kishin bërë tifozët e ndaluar nga uniformat blu, përfshijnë: “Goditje për shkak të detyrës”, “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore për situatën e krijuar gjatë dhe pas ndeshjes Tirana-Partizani të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në stadiumin ‘Air Albania’, bënë identifikimin, shoqërimin dhe arrestimin e shtetasve, të cilët gjatë ndeshjes hodhën flakadanë në fushë dhe pas përfundimit të saj ushtruan veprime të dhunshme, duke dëmtuar stolat e stadiumit”.

“A. P., 24 vjeç, për veprat penale ‘Goditje për shkak të detyrës’, ‘Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive’ dhe ‘Deklaratat e rreme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore’”.

“Ky shtetas, gjatë intervistimit nga shërbimet e Policisë, fillimisht ka pohuar se nuk ka qenë i pranishëm në stadium gjatë zhvillimit të ndeshjes, por pas këqyrjes së pamjeve filmike, ka rezultuar se ka qenë pjesmarrës dhe pasi ka hyrë në fushën ku zhvillohej ndeshja, ka goditur punonjësin e shërbimit të sigurisë”.

“S. P., 19 vjeç, S. P., 28 vjeç dhe L. P., 18 vjeç, për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.

“Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi Xh. Z., 25 vjeç, për veprën penale ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik’, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për shoqërim”.

“Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë si të dyshuar se kanë kryer veprime të dhunshme gjatë aktivitetit sportiv, konkretisht: I. V.;  D. I.;  E. K.;  H. T.;  E. T.;  E. L.;  A. T.;  M. M.;  E. T.;  A. M.;  M. S.;  R. Z.;  G. A.;  E. V.,  E. E. dhe K. Sh., të cilët pas marrjes së deklarimeve u lanë të lirë”.

“Këta shtetas, gjatë ndeshjes Tirana-Partizani, kanë hedhur lëndë piroteknike në fushën ku zhvillohej ndeshja dhe pas përfundimit të saj, kanë dëmtuar stolat”.

“Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë që kanë ushtruar veprime të dhunshme gjatë aktivitetit sportiv”.

“Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, përfundon deklarata e uniformave blu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore