Film

Vepra e Beckett “Oh ato ditë të bukura”, në skenën e teatrit shqiptar


“Oh ato ditë të bukura”, pjesë teatrale, nga më të njohurat të autorit të famshëm irlandez, Samuel Beckett, fitues i Çmimit Nobel për letërsi në vitin 1969, është vënë në skenë nga regjisori Arben Kumbaro, në Teatrin Metropol.

Vepra, e cila është cilësuar si një nga më të njohurat e teatrit modern botëror, u interpretua nga “Mjeshtre e Madhe” e skenës, Yllka Mujo, shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur Sokol Angjeli.

Qëllimi i vënies së kësaj shfaqjeje është gjallërimi i jetës kulturore në Tiranë në këtë kohë fatkeqe të pandemisë.

“Oh, ato ditë të bukura” është një pjesë me dy akte, ka shpjeguar regjisori Arben Kumbaro, në ditën e premierës.

“Në kufijtë e një monodrame, do të interpretohet nga një prej aktoreve më të shquara të traditës teatrale, Yllka Mujo”.

Aktorja Yllka Mujo

“I pyetur për vlerat që mbart kjo vepër”, shprehet ai se “ka vlera të jashtëzakonshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore”.

“Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë”, shprehet regjisori Arben Kumbaro.

Rreth pjesës teatrale 

Premiera e shfaqjes ishte më 8 tetor dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit tetor në skenën e Teatrit Metropol.

Disa prej kritikëve e kanë cilësuar këtë vepër, si një ndër pjesët më të mira të shkruara në të gjitha kohërat.

Ajo i takon Teatrit Absurd dhe vëniet e saj kanë njohur skenat e rëndësishme të shumë teatrove në botë.

Vepra është kryesisht një monodramë, ku personazhi kryesor, Vini, shpesh krahasohet me rëndësinë që ka Hamleti në teatër.

Në foto, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, gjatë shfaqjes së premierës “Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett me regji nga Arben Kumbaro.

“Në pjesën e parë Vini, një grua rreth të gjashtëdhjetave, është e zhytur deri në mes në një grumbull rëre në shkretëtirë”, siç e cilëson dhe regjisori, “të cilën ne, në projektin tonë mund ta trajtojmë si një grumbull mbeturinash rëre dheu dhe inertesh për të kujtuar disi shkatërrimin pas një fatkeqësie natyrore (tërmeti) në të cilën ajo ka ngecur aty prej kohësh që s’mbahet mend”.

Rreth saj, vërtitet i shoqi, Vili, i cili lexon gazetën dhe hera-herës ngrohet në diell.

Pothuajse ai nuk flet fare gjatë gjithë kohës, vetëm shumë rrallë i përgjigjet Vinit kur kërkon ndonjë mendim, disa herë thjesht murmurit.

Ndërsa Vini, që e shtyn kohën duke u marrë me ombrellën e diellit, çantën e saj dhe objektet që nxjerr prej çantës kujton ditët e bukura që kish kaluar kohë më parë…

Në fakt nuk është shumë e qartë nëse vërtet ajo ka kaluar ditë të bukura në jetën e saj, apo ka ëndërruar dikur se sa ditë të bukura do kalonte ajo gjatë gjithë jetës.

Apo ditët e bukura janë më tepër një besim metafizik e filozofik, me të cilën ajo ndihmon veten për të qenë gjallë.

Në pjesën e dytë, ajo është e zhytur deri në grykë në tokë, vetëm me kokën përjashta dhe vazhdon të kujtojë apo të flasë për ditët e bukura.

Hera-herës, Vini mban një maskë në fytyrë kundër një pandemie të supozuar.

Skenografia e realizuar nga Ardian Kapo është menduar sipas nevojave të diktuara edhe prej drejtorit artistik të shfaqes.

Ajo do të sjellë në skenë vizualitetin e një toke të shkretë me stalaktite dhe stalakmite, ku personazhi kryesor do të qëndrojë në qendër të skenës i zhytur në dhé, deri në mes, dhe i ngecur në këtë realitet nga ku nuk mund të shpëtojë dot.

Gjithashtu dhe muzika është menduar si pjesë integrale e kësaj shfaqjeje, ku ndërthuret ajo instrumentale dhe vokale, duke ruajtur atmosferën dhe vendin në të cilën po luhet shfaqja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore